Maqedonia e Veriut i ka dhuruar tanke Ukrainës, të cilat, sipas Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë tanke të gjeneratës së tretë, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsiderohen jo konkurruese dhe jo kompatibile.

 

Autoritetet nuk kanë saktësuar se sa tanke i janë dhuruar Ukrainës, por bëjnë të ditur se në periudhën në vijim duhet të shpenzohen mjete edhe për asgjësimin e tankeve tjera që i kan në dispozicion, pasi ato konsiderohen të padobishme për ushtrinë.

 

“Republika e Maqedonisë së Veriut, si një anëtare e besueshme e NATO-s, në përputhje me aleatët dhe partnerët e saj, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe të drejtën e vetëmbrojtjes së Ukrainës, duke dënuar ashpër agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, vendosi dërgimin e ndihmës për Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës, me sasi të burimeve materiale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Maqedonia e Veriut i ka dhuruar më parë Ukrainës pajisje mjekësore dhe ndihma tjera për popullatën civile.

 

Në deklaratën e ministrisë, thuhet se Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhshme do të transformojë, përkatësisht do të shpërbëjë batalionin e tankeve dhe do të fillojë ngritjen e kapaciteteve moderne kundër takneve.

 

Gjithashtu thuhet se është në vazhdim e sipër projekti i prokurimit të mjeteve të blinduara të lehta, sipas marrëveshjes së vitit 2019 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re