Autoritetet e Spitalit të Kumanovës në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar se, te dy të punësuar shëndetësorë është rikthyer Covid-19.

Drejtoresha e spitalit, Snezhana Zaharieva, tha se bëhet fjalë për të punësuar në repartin për sëmundje të syve dhe një infermiere në repartin e kirurgjisë.

“E gjithë kjo është e panjohur për ne. Të dya e kanë kaluar sëmundjen më herët”, pohoi Zaharieva.

E punësuara në repartin e sëmundjeve të syve kishte shkuar për të dhuruar plazmë, dhe gjatë kontrollit është konfirmuar prezenca e virusit.

“Për momentin ndjehet mirë, ka lodhje të lehtë”, tha Zaharieva.

Zaharieva shpjegoi se infermierja nga kirurgjia ka rezultuar pozitive me Covid-19 në fillim të pandemisë, me pasqyrë të lehtë klinike. Para dy javëve, është ankuar se nuk ndjehej mirë, por që për momentin njehet më mirë.

“Nuk e di si janë infektuar, por anketat e tyre epidemiologjike janë pozitive”, tha Zaharieva.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re