Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, ka njoftuar sot se nga Franca do të blihet një sistem modern i mbrojtjes ajrore.

Në seancën e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, ajo tha se bëhet fjalë për një prokurim shumëvjeçar të sistemeve të mbrojtjes ajrore për operacione në lartësi të ulëta.

Petrovska njoftoi se Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut së shpejti do të lidhë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës dhe se më pas opinioni do të informohet më në detaje për llojin e pajisjeve ushtarake dhe dinamikën e dorëzimit.

“Bëhet fjalë për përmirësimin e sistemit të gatishmërisë luftarake të Ushtrisë në drejtim të arritjes së detyrës themelore: mbrojtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit. Prandaj po i afrohemi prokurimit të një sistemi modern të mbrojtjes ajrore, për të cilin do të lidhim kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës”, tha Petrovska.

Ajo theksoi se përvetësimi i atij sistemi është plotësues i të gjithë sistemit të mbrojtjes, duke shtuar se siguria e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s, garantohet nga forcat ajrore aleate.

Në dy dekadat e fundit nuk ka pasur blerje të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore, njoftoi Ministria e Mbrojtjes (mod.gov.mk).

Portali maqedonas Sakam da kazam (sdk.mk) shkruan se do të blihet sistemi francez i mbrojtjes ajrore në lartësi të ulët “Mistral”, të cilin Serbia e bleu tre vjet më parë dhe se atëherë presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se 18 sisteme të tilla me 50 raketa janë blerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re