Në Maqedoninë e Veriut, në orën 7:00 të mëngjesit janë hapur kutitë e votimit ku rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin presidentin e ri të shtetit.

Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova, kandidate e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Presidenti mund të zgjidhet në rrethin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave nga lista votuese, apo rreth 900 mijë, por deri më tani asnjë president nuk është zgjedhur në rrethin e parë për shkak të numrit të madh të votave që duhet të merr, kështu që në balotazh më 5 maj do të kalojnë dy garuesit me numrin më të madh të votave.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Oliver Derkoski, i ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të sigurojnë proces votues fer dhe demokratik, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin.

“Komisioni do të bëjë gjithçka që të jetë i suksesshëm, por këtë duhet ta bëjnë edhe pjesëmarrësit e tjerë. Në fund të ditës le të fitojë më i mirë, ai për të cilin do të vendosin qytetarët, në rrethin e parë e pastaj edhe në rrethin e dytë”, ka deklaruar Derskoski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, përmes një video-mesazhi ka thënë se policia është e përgatitur për të siguruar proces zgjedhor demokratik dhe pa incidente.

“Të dielën secili nga ne do të ketë mundësinë që të shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në zgjedhje. MPB-ja do të përcjellë procesin zgjedhor me të vetmin qëllim që dita e votimit të jetë e qetë ashtu siç i takon një shoqërie demokratike”, ka deklaruar Spasovski.

Zgjedhjet po mbikëqyren nga një numër i madh i vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar. Në KSHZ janë regjistruar 3150 persona ndërsa numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most”, derisa 400 do të jenë të huaj.

Fushata elektorale e kandidatëve për president ka zgjatur 20 ditë. Ajo kryesisht ka qenë e qetë dhe demokratike, por me akuza të ndryshme mes partive. Kandidatët kryesisht janë përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës, integrimin evropian, raportet ndëretnike, gjyqësorin, ekonominë si dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Zgjedhjet presidenciale shihen si test për qeverisjen e kryeministrit Zoran Zaev, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit në “Maqedonia e Veriut”.

Ai ka thënë se në rast të disfatës së kandidatit të partive në pushtet, Stevo Pendarovski, do të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kjo është kërkuar edhe nga opozita e cila ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë. Kryetari i VMRO DPMNE-së ka thënë se zgjedhjet presidenciale në fakt janë zgjedhje për delegjitimin e Qeverisë së kryeministrit Zaev./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re