Tirana është gati për të mirëpritur rreth 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës që do të marrin pjesë në maratonën që do të zhvillohen këtë të dielë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e Maratonës për të koordinuar detajet e fundit për mbarëvajtjen e këtij organizimi. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Maratona e Tiranës do t’i japë një impuls pozitiv edhe ekonomisë së qytetit.
 
“Është hera e parë që Maratona është e certifikuar zyrtarisht, ndërkombëtarisht. Kjo do të thotë që edhe do monitorohemi në këtë aspekt, megjithatë besoj që do jetë një festë e  madhe për të gjithë Tiranën dhe ky grup ka në dorë cilësinë e kësaj feste dhe mbarëvajtjes së punëve. Ne presim si vrapues profesionistë rreth 2500 atletë nga 40 vende të ndryshme të botës, duke filluar nga Azia e largët, Afrika, Amerika Latine, SHBA e Europa, pra është edhe një mundësi fantastike për të prezantuar si një kartolinë qytetin e Tiranës.”, theksoi Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë theksoi se në ndryshim nga viti i mëparshëm, itinerari i Maratonës së këtij viti është fokusuar tek qyteti.
 
“Kësaj here ne kemi një itinerar ndryshe të maratonës. Nëse herën e parë kishim një sistem linear në autostradën Tiranë-Durrës, tani kemi atë që quhet “City marathone”, pra një maratonë e fokusuar tek qyteti. Kjo do të thotë që do të jetë aksi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, “Zogu i Parë” I gjithë rrethrrotullimi i Unazës së Vogël me një hyrje në Bllok në rrugën “Ibrahim Rugova”, pastaj pranë Gardës për t’u rikthyer sërish tek sheshi  “Nënë Tereza”, që janë fillimi dhe fundi i maratonës. Për vrapuesit profesionistë do përdoret edhe aksi i rrugës së Kavajës deri tek Kisha Ortodokse, sepse gara është kalkuluar që të ketë 3 xhiro nga 7 për profesionistët dhe 2 xhiro nga 5 për të tjerët”, deklaroi ai.
 
Për ta kthyer këtë garë sportive në një ditë feste, Bashkia e Tiranës fton gjithë qytetarët e Tiranës që nuk garojnë, të dalin në datë 15 Tetor dhe të mbështesin sportistët pjesëmarrës. Kreu i Bashkisë u shpreh se janë rreth 660 vullnetarë që i janë bashkuar organizimit të kësaj Maratone, duke filluar nga Kryqi i Kuq, Emergjencat Civile, Rrjetin e Vullnetarëve, APR, ekipin e Tiranës, Marsi Basket, vullnetarët e organizuar nga Drejtoria e Promovimit të Qytetit, Eco Volis dhe shkollat e mesme të Tiranës.   Ndërkohë, Bashkia ka nisur punën për njoftimin e qytetarëve për ndalimin e parkimit në zonat e garës; ndalim që do të fillojë sot në mesnatë.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re