Të dielën, më 19 tetor 2025, Tirana shndërrohet në skenën e një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive në vend, Maratona Ndërkombëtare e Tiranës. Në edicionin e saj të nëntë, kjo garë prestigjioze pritet të mbledhë mbi 5 mijë vrapues nga rreth 50 vende të botës, të cilët do të masin forcat në distancat 42 km, 21 km dhe 10 km, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në një festë të vërtetë të sportit dhe energjisë.
Ky event sportiv ka marrë një dimension të veçantë këtë vit, pasi zhvillohet në kohën kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Vetë Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga edicionet e kaluara, duke promovuar atmosferën dhe rëndësinë e këtij organizimi ndërkombëtar.
Në edicionin e kaluar, Maratona tërhoqi mbi 4 mijë pjesëmarrës, mes tyre edhe sportistë nga vende si Polonia, Ukraina, Kosova dhe Austria, të cilët zhvilluan një garë të mbushur me energji dhe emocion.
Rrugët e bllokuara:
Për të garantuar zhvillimin normal të aktivitetit, Policia e Tiranës ka njoftuar një sërë kufizimesh të qarkullimit rrugor që do të jenë në fuqi nga ora 08:00 deri në 16:00, në shumë prej arterieve kryesore të qytetit.
Segmentet ku do të ndalohet qarkullimi përfshijnë:
-Sheshi “Nënë Tereza”
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
-Rruga “Papa Gjon Pali II”
-Rruga “Ismail Qemali”
-Bulevardi “Bajram Curri”
-Rruga “George Ë. Bush”
-Rruga “Abdi Toptani”
-Bulevardi “Zog I”
-Rruga “Ded Gjo Luli”
-Rruga e “Durrësit”
-Rruga e “Kavajës”
-Rruga “Myslym Shyri”
-Bulevardi “Zhan D’Ark” (segmenti nga ura e Gjykatës te ura e “Taiëan”)
-Rruga “Ibrahim Rugova”
-Rruga “Lek Dukagjini”
Ndërprerje do të ketë edhe në linjat e transportit urban, të cilat nuk do të qarkullojnë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Nënë Tereza” dhe zonave të tjera që preken nga itinerari i garës.
Gjithashtu, ndalohet lëvizja e mjeteve të transportit të përzier, atyre teknologjikë dhe për pasagjerë, përjashtuar mjetet e transportit publik qytetas, në të gjithë hapësirën brenda Unazës së Madhe.
