“Si rrallë kush, në misionin e tij fisnik të gazetarit dhe të flakadanit, ka rindezur dhe përflakur shpirtin dhe zemrën e shqiptarit, me emisionet dhe reportazhet e tij televizive, të realizuara me shumë talent dhe kurajë të admirueshme, kudo ku janë shqiptarët, duke na risjellë në kujtesë gjurmët e lashtësisë, të historisë së kombit tonë, me tërë dimensionet e saj, të trimërisë, të vuajtjeve dhe të mbijetesës, duke i dhënë më shumë kuptim dhe vlerë shprehjes ‘Jam krenar që jam shqiptar’”.
Ky ishte motivacioni, me të cilin sot, në sallën e konferencave të Bashkisë së Beratit, z. Marin Mema, gazetarit të Top Channel, i jepet titulli “QYTETAR NDERI” i Beratit.
Në ceremoninë e dhënies së titullit gazetarit të “Gjurmëve shqiptare”, Marin Mema, merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore, përfaqësues të klerit dhe të shoqatave të ndryshme, intelektualë, artistë, qytetarë etj.
Moderatori i kësaj ceremonie, z. Kadri Kuka, pasi lexon jetëshkrimin dhe motivacionin e vlerësimit për gazetarin e mirënjohur, fton Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dhe Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, t’i dorëzojnë z. Marin Mema titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.
Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, në fjalën e tij përshëndetëse u shprej se modele të tilla të djemve dhe vajzave që na tregojnë gjurmët e lashtësisë, kush jemi, nga kemi ardhur dhe çfarë duhet të përcojmë për brezat që vijnë, na kishin munguar.
“Gazetari M. Mema është shndërruar sot në një ikonë të shqiptarisë. Vendosmëria, këmbëngulja e tij për të hedhur dritë në të shkuarën tonë, të largët dhe të afërt, është për t’i qenë mirënjohës, pasi përmes kronikave, reporetazheve të tij televizive, ka ngjallur, nxitur e frymëzuar ndër shqiptarë ndjenja të forta atdhedashurie. Brezi i sotëm harxhon kohën me temën e ditës, të javës apo të muajit, por harron të kthejë sytë dhe vëmendjen te historia, që ndikon fort në formimin e një shoqërie apo të një brezi të tërë. Politika e ditës, është momentale, e përkohshme, është historia ajo që na jep identitet, duke na treguar vlerat më të mira të trashëgimisë sonë. Berati dhe Shqipëria kanë shumë potenciale historike dhe kulturore. Marini, gazetarë dhe intelektualë të tjerë, kanë hulumtuar, kanë zbuluar dhe kanë promovuar vlera që hedhin dritë mbi qytetërimin tonë, duke na bërë krenarë në sytë e Evropës dhe më gjerë. Pa këtë promovim, gjithë këto vlera kulturore, njerëzore, historike, mbeten të fshehura dhe duhet punë e madhe për t’i nxjerrë në dritë, që bota t’i shikojë këto vlera, t’i kuptojë dhe t’i vizitojë ato. Këtu merr vlerë të veçantë puna dhe kontributi i paçmuar i gazetarit M. Mema”.
Studiuesi Çlirim Mukli, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi si të veçantë kontributin e gazetarit Mema, i cili, ndryshe nga partitë politike që luftojnë për pjesë Shqipërie, ai lufton për të tërën.
Ndërsa vetë Marin Mema në fjalën e tij u shpreh se ishte e vështirë të shprehësh atë që ndjen në raste të tilla. “Të marrësh një vlerësim të tillë në qytetin e Beratit ka një vlerë të shumëfishtë, jo thjesht sepse gjyshja ime nga babai e shprehte gjithmonë me krenari që ishte beratase, por sepse ky është absolutisht një nga qytetet më të jashtëzakonshme që ka historia, tradita dhe kultura shqiptare. Eshtë një qytet që ende nuk ia kemi shpluhurosur të gjitha vlerat që ai mbart në vetvete. Vlerat e Beratit, trashëgimia dhe historia e tij, janë shumë herë më të madha saç ne i njohim derimë tani. Në fakt Shqipëria është e gjitha për t’u zbuluar. Ka ardhur momenti ta duam pak më shumë vendin tonë, ta njohim më mirë, të bëjmë diçka më shumë për të. Shqipëria ka nevojë për ne të gjithë, përtej ndasive partiake e çdo ndasie tjetër. E them me plot gojën që ajo është një vend i bekuar nga Perëndia dhe e mallkuar nga politika, sepse me këto pasuri e resurse që ka, s’duhet të ishte në këtë gjendje. Ky vend mund dhe duhet të bëhet për ata që e duan vërtet”.
Një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore gjatë kësaj ceremonie krijuan artistët Dhimitër Dushi, Petrit Berisha dhe Mimoza Balili, te cilët kënduan këngën “Kaçaniku”, orkesatruar nga Altin metohu, duke ia shtuar tone patriotike kësaj ceremonie.
Ceremonia mbyllet me foto të gazetarit Marin Mema dhe pjesëmarrësve.