Profesor Mark Marku ka bërë një analizë të asaj që po ndodh në Partinë Demokratike, duke u nisur nga Kuvendi Kombëtar i mbajtur sot në Pallatin e Kongreseve. Sipas Markut sot u tregua pjekuria politike, por tashmë duhet që të bëhen transparentë të gjithë delegatët të cilët kanë marrë pjesë në Kuvend.

Marku renditi edhe disa nga arsyet se pse Kuvendi i zhvilluar sot ishte ndryshe nga ajo që mbajti Berisha një javë më parë.

Ndërsa thotë se lëvizja e Berishës bëhet për interesa personale, Marku u shpreh se ky kuvend për herë të parë hapi debatin për modelin e lidershipit brenda PD. Tashmë tha ai, PD ka vetëm një lider dhe ai është Lulzim Basha, të cilët mund ti kërkohet llogari.

“Unë shpresoj që nesër të jepen të dhëna transparente, të dhënat për delegatët që kanë marrë pjesë, në mënyrë që publiku dhe anëtarësia ta kuptojë peshën e këtij kuvendi.

Ka disa gjera që e bëjnë ndryshe këtë kuvend nga ai i 11 dhjetorit. E para mediat nuk u penguan. Mediat kanë qenë të pranishme, procedura nga pikëpamja institucionale ka qenë transparente, tani ne duam që ta verifikojmë këtë. Nëse kanë qenë 5004 delegatë sac është deklaruar sot, do të thotë se shifrat e deklaruara nga Berisha do të thotë që ato janë të rreme, janë veprime jo në përputhje me normat elementare.

Unë mendoj që kjo pjesëmarrje nuk ka të bëjë shumë me Bashën apo me Berishën, por me ekzistencën e PD. Njerëzit e kanë intuitën. Ne nuk jemi më të zgjuar se të tjerët, ne dimë më shumë për shkak të profesionit, por shoqëria e ka intuitën. Nëse diçka që bëhet këtë rast, ai di ta dallojë. Njerëzit pavarësisht emocionit i kthehen arsyes, e kuptojnë që lëvizja që ka ndërmarrë Sali Berisha ka qenë më tepër në interesa të një personi. Këto interesa e kanë çuar gati gati në shkatërrimin e partisë.

Personi mund të ketë të drejtë që të luftojë që të dalë i pastër, por nuk ka të drejtë të marrë me vete një formacion politik.

Beteja e Berishës është e moralshme në planin individual, por jo duke e përdorur PD si mburojë. Kjo është vlerësuar nga intuita e individit të thjeshtë dhe sa më shumë të kalojë koha aq më shumë aktet e Berishës do vlerësohen në mënyrë kritike. Më vjen mirë që ky Kuvend tregoi një pjekuri politike.

Ky kuvend për herë të parë hapi debatin për modelin e lidershipit brenda PD, që do të thotë të berishizimit të mënyrës së drejtuarit të partisë, të ndarjes me berishizmit si një formë postkomuniste, gjë që është në mënyrë të strukturuar me teza. Pra për të kaluar nga modeli i liderit postkomunist në një model të drejtimit modern.

E dyta dhënia fund e dualizimit të lidershipit të PD, prej këtij momenti ka një lider në PD që do jetë Basha. Pas kësaj ne kemi të drejtë ti kërkojmë llogari Bashës për rezultatet e liderishipit të tij. Deri tani ne kemi pasur dy lider, lideri aktual nuk bënte dot asgjë sepse Berisha e pengonte. Do jetë apo nuk do jetë i suksesshëm Basha kjo i përket atij, por ne na takon ti kërkojmë llogari Bashës”, tha Marku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re