“Nuk kam përdorur Sky” i ka thënë gjykatës ditën e djeshme i riu nga Nikla, për të cilin RENEA organizoi një operacion topsekret që ta sillte në pranga.
Përveçse mohoi përdorimin e apliakcionit të botës së krimit, ai mohoi, mbase me të drejtë, të kishte kryer atentat ndaj Durim Bamit, një tjetër personazhi fort të rëndësishëm të grupit kriminal që vepron e jeton në Nikël të Krujës. Marklen Haka, pavarësisht pozitës mohuese për akuzat e SPAK, është lënë në burg, ndërkohë që në duart e prokurorëve të SPAK gjenden qindra mijëra faqe me biseda të nxjerra nga ky aplikacion mes eksponentëve më të fuqishëm të botës së krimit dhe jo vetëm.
Në bisedat që SPAK kërkon të mos bëhen publike gjenden mesazhe pafund mes Durim Bamit dhe Behar Bajrit për të eliminuar fizikisht Arben Ndokën, ish-deputetin e Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës. ‘Kokën’ e Ben Ndokës nuk e kërkonte vetëm Durim Bami, por edhe Marklen Haka dhe në bisedat e zbardhura që gjenden në duart e kësaj prokurorie, shihet qartë lidhje mes Bamit dhe Hakës për të ekzekutuar Ndokën.
Vrasjen e ish-deputetit grupi i Niklës e kërkonte pasi Ndokës iu kishte vrarë vëllai në atë pritë fatale në derën e shtëpisë së tij në lagjen “Kodër Marlekaj” të Lezhës. Historitë e krimit që shfaqen në bisedat mes dy personazheve si Behar Bajri dhe Durim Bami implikojnë edhe dhjetëra persona të tjerë, mes të cilëve edhe ish-deputetë, po ashtu siç edhe del hapur intriga mes palëve, intrigë që me sa duket ka ‘mashtruar’ edhe SPAK-un se Marklen Haka donte të vriste Durim Bamin.
Megjithatë, moria e informacioneve që gjenden në ato materiale të ardhura nga Belgjika dhe Franca mbase do të bëjnë që SPAK të hedhë dritë mbi gjithçka ka ndodhur mes grupeve kriminale me mbështetje të forta jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në politikë.
SEANCA
Dje Marklen Haka doli para Gjykatës së Posaçme, për verifikim të masës së sigurisë të dhënë në mungesë ndaj tij. 33-vjeçari nga Nikla akuzohet si pjesëmarrës në vitin 2020 në atentatin ndaj Durim Bamit, ku sipas SPAK ka dhënë detaje për lëvizjen dhe vendndodhjen e tij, të gjitha këto të zbërthyera nga bisedat në aplikacionin “Sky ECC”. Haka i ka mohuar në gjykatë akuzat e SPAK.
Nëpërmjet avokatit të tij, Erjon Kullolli, ai ka pretenduar se nuk ka konflikte me njëri dhe as me Durim Bamin dhe ditën kur ka ndodhur atentati ndaj Bamit, ai ka qenë disa kilometra larg Fushë-Krujës. Gjithashtu, Marklen Haka ka pretenduar se nuk ka përdorur aplikacion “Sky” dhe gjatë kësaj periudhe dyshohej se fshihej në Dubai që ka qenë në kërkim nuk është larguar nga Shqipëria. Arrestimi i Marklen Hakës u bë disa ditë më parë pas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia. Marklen Haka ka qenë në oborrin e banesës ku fshihej kur i janë vënë prangat.
Policia tha se për shkak se ishte shpallur në kërkim, Haka jetonte i fshehur dhe arrestimi i tij u krye më 6 shtator 2024, në një banesë të të afërmit të tij, ku janë gjetur edhe armë. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, sigurim i kushteve për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në qershor të viti 2011 në ish-Bllok, por u lirua për mungesë provash. Më 8 qershor 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati në hyrje të Niklës në Fushë-Krujë, duke marrë një plumb në nofull. Në shtator 2019 iu bë atentat, ku për fat të keq, në atë kohë, viktimë mbeti halla e tij. Në janar 2022 u prangos nga RENEA pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona, por edhe pas atij arrestimi, ai u la i lirë./Gazeta Panorama
