Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, është shprehur se është e pafalshme që të ketë konflikte mes kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë.

Komentet Haxhinasto i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Log” në Panorama TV, ku tha se në marrëdhëniet mes dy vendeve tona ka pasur shumë show dhe fasadë.

Ai shtoi se kryeministri i Kosovës është vendosur në pozitë shumë të vështirë përballë palës serbe, për shkak të veprimeve ose mos-veprimeve të palës shqiptare.

“Unë mendoj që komentet që mund të bëhen janë të pafundme. Xhestet diplomatike patjetër që ndodhin, japim mesazhe të caktuara. Edhe ardhja e ambasadorit mund të ishte një normalitet. Një vend mund të çojë edhe ambasadorin, s’ka mundësi të çojë një përfaqësues tjetër. Thelbi ka të bëjë me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur shumë show dhe fasadë, ndërkohë që duhet të kishin pasur më shumë substancë. Është e pafalshme që mes kryesministrave të 2 vendeve të ketë konflikte. Ka pasur shprehje përtej etikës politike e diplomatike.

Fakti që jemi një kombi  vetëm duhet të kishte zbutur egot e secilit politikan. Unë mendoj se duhet të shikojmë dëmin që i bëjnë jo vetëm marrëdhënieve dypalëshe këto qëndrime.

Kurti është vendosur në pozita shumë të vështira përballë palës serbe, ndërkohë që Tirana ka luajtur një rol moderues te Beogradi, ndërkohë që detyra e çdo politikani shqiptar është që të gjejnë gjuhën me udhëheqësit e Kosovës dhe të arrijnë konsensusin e domosdoshëm, me qëllim që Shqipëria të luajë rolin kushtetues që i takon, që të mbrojë edhe shqiptarët jashtë kufijve të saj.

Fjala e fundit është kjo, ka pasur shumë mundësi që kryeministri i Shqipërisë dhe Kosovës të gjenin gjuhën e përbashkët. Kjo me qëllim që Kosova në proceset e integrimit ndërkombëtar dhe të njohjeve ndërkombëtare, të ecte me një tjetër ritëm”, është shprehur Haxhinasto.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re