Koreja Jugore i ka bërë thirrje Koresë Veriore që të braktisë planin për dërgim të pamfleteve propaganduese në anën tjetër të kufirit, pasi Phenjani ka thënë se është i gatshëm të nisë 12 milionë fletëpalosje të tilla, çka njëherësh përbën hapin më të madh kundër rivalit jugor.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur shpejt javën e kaluar, pas vendimit të Phenjanit për të shkatërruar një zyrë ndërlidhëse në territorin e saj, si përgjigje ndaj dezertorëve që kanë nisur pamflete në Korenë Veriore.

Mirëpo më 22 qershor, Koreja Veriore ka thënë se ka prodhuar 12 milionë pamflete propaganduese për Korenë Jugore, si dhe ka përmendur rreth 3,000 tullumbace dhe pajisje tjera të paspecifikuara për dërgimin e tyre në jug.

“Plani ynë i shpërndarjes së pamfleteve kundër armikut, është shpërthim i një zemërimi të madh të njerëzve dhe gjithë shoqërisë”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve verikoreane, KCNA.

“Koha për ndëshkim hakmarrës po afrohet”.

Zëdhënësi i Ministrisë jugkoreane të Unifikimit, Yoh Sangkey, u ka thënë gazetarëve se Koreja Veriore duhet të pezullojë planin e dërgimit të këtyre fletëpalosjeve “që nuk ndihmojnë marrëdhëniet veri-jug”.

Ministri jugkorean i Mbrojtjes, Jeong Kyeong-doo, u ka thënë ligjvënësve se veprimet ushtarake ndaj veprimeve të Koresë Veriore varen nga pajisjet që do t’i përdorë ky shtet për të realizuar dërgesat.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re