Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen për emigrantët që kryeministri Edi Rama firmosi pak ditë më parë në Itali, me homologen e tij Giorgia Meloni.

Përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e Kryeministrisë, bëhet me dije se vendimi është marrë nga zv. kryeministrja Belinda Balluku, dhe drafti prtet të kalojë për votim Parlament.

Kujtojmë se Kryeministri Rama dhe ajo italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve të cilët do të shpëtohet nga autoritetet italiane në detin Mesdhe.

Emigrantët janë parashikuar të zbarkojnë në Shëngjin, ndërsa kampi i tyre pritet të ngrihet në Gjadër.

Çdo qendër do të ketë kapacitetin për të strehuar deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, shpjegoi Meloni, me synimin për të akomoduar rreth 36.000 aplikime në vit. Nga skema do të përjashtohen gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël.

Infrastruktura do të paguhet nga Roma, ndërsa Tirana është angazhuar të ofrojë shërbime sigurie dhe mbikëqyrje të jashtme. Nisja është caktuar për pranverën e vitit 2024.

NJOFTIMI:

VENDIM PER

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN    E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE   TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN   E MIGRACIONIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i  bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re