Ka ardhur dhe reagimi i parë nga Beogradi, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila bën të mundur shkëputjen e të parës nga varësia prej Beogradit në fushën e energjitikë.

Eshtë i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriç, i cili tha se Serbia është pronare e rrjetit energjetik të Kosovës, pasi sipas tij është ajo që ndërtoi termocentrale në Kosovë. Edhe në këtë rast, nga Beogradi është parë përpjekja për krijimin e të pretenduarës si “Shqipëri e Madhe”.

“Kështu që krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’ në fushën e energjisë nuk do të jetë e mundur”, tha Gjuriç, duke paralajmëruar se “kjo nuk është e qëndrueshme në terren dhe se duhet të ndalet nga bashkësia ndërkombëtare përpara se të prodhojë pasoja negative për energjinë rajonale dhe stabilitetin politik”.

Kosova dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për transmisionet e energjisë elektrike, duke bërë kështu hapin e parë për shkëputje përfundimtare të sistemit energjetik të Kosovës nga ai i Serbisë. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) marrëveshje kjo për themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re