Juristi Taulant Hodaj, në një lidhje live nga Prishtina, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të duhet të kalojë në Kuvend për t’u ratifikuar. Në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, ai tha marrëveshja duhet të fitojë fuqinë ekzekutive që të mos bëhet një ‘mollë sherri’ mes institucioneve.

“Duhet të nënshkruhet në Bruksel dhe më pas për t’ju dhënë fuqia ligjore, duhet të ratifikohet në Kosovë. Por kjo varet nga vendet përkatëse. Në rastin e Kosovës kemi marrëveshjen e 2013 e cila është ratifikuar, ajo e 2015 nuk është bërë sepse nuk ka kaluar në Kuvend dhe kjo nëse bëhet do të duhej të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës.“, tha ai.

A do të kemi një nënshkrim me datë 18 në Ohër?

“Besoj se do të ketë nënshkrim. Nuk jam tepër entuziast për këtë marrëveshje por është një ndër më të mirat që është arritur deri më tani. Nuk përfitohen të gjitha atë që kërkohen nga Kosova por ka elementë të rëndësishme dhe njohja de facto bëhet nga kjo marrëveshje. Gjithashtu ka shumë obligime për Serbinë që të mos pengojë Kosovën në anëtarësim të organizatave ndërkombëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme dhe të respektojë integritetin territorial të Kosovës.”, tha ai.

Më tej, juristi shtoi se nëse kjo marrëveshje e propozuar nga ndërkombëtarët, nuk do të nënshkruhet atëherë do të ketë pasoja për të dyja vendet.

“Mendoj se do ta bëjë sepse përndryshe ka dhënë pëlqimin paraprak por plani i zbatimit nëse është ai që ka dalë nëpër media, atëherë kjo merr kohë dhe ka afate. Mund të ndodhë që pjesë të planit të zbatimit mund të zgjatet por me aneksin besoj se do të nënshkruhet sepse pasojat do të jenë të mëdha për secilën palë. Do të reflektojnë të dyja palët jo për qejfin e madh por për shkak të komplikimeve të mëdha që mund të kenë nëse nuk nënshkruhet “, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re