Skip to content

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese merr vendimin

Gjykata Kushtuese ka marrë vendimin për të shqyrtuar padinë  e bërë nga deputetët e opozitës për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.

Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë.

Padia do të shqyrtohet më 18 janar, në orën 10:00.

Kujtojmë që Partia Socialiste kishte planifikuar që marrëveshja të votohej në Kuvend më 14 dhjetor dhe pas këtij vendimi, ishte Gazmend Bardhi ai që me një reagim i bëri Apel anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që t’i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës.

REAGIM I BARDHIT

Në një akt të paprecedent, me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar.

Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti, duke e përfshirë në Rendin e Ditës të seancës së nesërme, datë 14 Dhjetor 2023.

Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjeson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit.

Ky përbën aktin më të shëmtuar të dhunimit flagrant të Kushtetutës nga vetë Gjykata Kushtetuese, si një tjetër provë e kontrollit të plotë të saj nga Edi Rama. Asgjesimi i mundësisë së kontrollit kushtetuese, si një e drejtë kushtetuese e deputetëve të opozitës, është atentat ndaj shtetit ligjor dhe rrënon besimin e publikut tek paanësia dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese.

Duke shprehur mospajtimin me mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese dhe dhunimin flagrant të Kushtetutës prej saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike apelon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ti përmbahen betimit për t’ju nënshtruar vetëm Kushtetutes dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës. Ata duhet të heqin dorë mënjeherë nga bllokimi i shqyrtimit paraprak në kohë të kërkesës së deputetëve të opozitës, duke urdhëruar përpara ratifikimit të nesërm pezullimin e procedurës parlamentare.

Zbatimi i Kushtetutës duhet të jetë i vetmi udhërrëfyes i veprimtarisë së anëtarëve të Gjyaktës Kushtetuese, dhe jo pengmarrja me projektligj apo  premtimi korruptiv i Edi Ramës për rritje të shfrenuara të pagave të tyre, në këmbim të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe rolit që Gjykata Kushtetuese luan në një shoqëri demokratike.

PADIA E FIRMOSUR NGA 30 DEPUTETË

Grupi Parlamentar i PD, ka kërkuar deklarimin e papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit të qeverisë shqiptare me qeverinë italiane, bazuar në 10 argumente me një shkresë të firmosur nga 30 deputetë me 6 dhjetor.

Kërkesa:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar deklarimin e papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit të qeverisë shqiptare me qeverinë italiane, bazuar në këto argumente:

1. Ky protokoll është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës, cka është një kusht thelbësor referuar neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës së Shqipërisë, Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese (vendimi nr. 15/2010).

2. Protokolli është nënshkruar pa u botuar në Fletoren Zyrtare për miratimin në parim, cka do të thotë se nuk kishte akoma fuqi ligjore. Nënshkrimi pa një vendim në fuqi të Këshillit të Ministrave për miratimin në parim vjen në kundërshtim me kuadrin ligjor të brendshëm për marrëveshjet ndërkombëtare.

3. Protokolli është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të konsultimeve dhe bashkëpunimit me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, që vjen në kundërshtim me nenin 35 të Konventës së Gjenevës. Në një reagim publik, Zyra e Komisionerit është shprehur se nuk jemi pjesë dhe as nuk kemi dijeni për këtë marrëveshje.

4. Protokolli shkel dhe cënon të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë, iu njeh të huajve. Në kuptim të nenit 16 të Kushtetutës, të huajt gëzojnë të drejta njësoj si shtetasit, me përjashtim të atyre që lidhen me shtetësinë. Ndërsa Protokolli iu mohon kësaj kategorie të huajsh cdo të drejtë që Kushtetuta shqiptare garanton për cdo individ në Republikën e Shqipërisë.

5. Protokolli parashikon kufizimin e padrejtë të lirisë, cka vjen në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 5 të Konventës Evropiane. Ndërkohë që këta individë do të qëndrojnë të mbyllur për një kohë të pakufizuar, atyre nuk iu garantohet asnjë e drejtë ankimi për të kundërshtim burgosjen e tyre. Referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, mbajtja e shtetasve të huaj ose pa shtetësi për një kohë të pakufizuar të mbyllur, pa ndonjë arsye të vecantë, dhe pa iu nënshruar rishikimit gjyqësor, përbën një shkelje flagrante të nenit 5 të Konventës Evropiane të të Drejtave të NJeriut. Këtë shqetësim e ka ngritur me forcë Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Këshilli Evropian për Refugjatët dhe Migrantët, Amnesty International, si dhe 29 organizata vendase dhe të huaja, në një letër publike, ku i kërkojnë qeverisë shqiptare tërheqjen nga kjo marrëveshje.

6. Në kuadër të Konventës së Gjenevës, shteti shqiptar ka detyrimin që të ofrojë mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi që e kanë të nevojshëm, duke garantuar një sërë të drejtash për ta.

7. Protokolli cënon parimin e barazisë.

8. Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Gjenevës, jurisprudenca e GJEDNJ, por edhe vendimi i Gjykatës së Lartë Britanike së fundmi, e ndalojnë kategorikisht dëbimin kolektiv të të huajve, si dhe dëbimin individual të personave që mund t’iu kërcënohet liria dhe jeta padrejtësisht.

9. Shteti shqiptar nuk mund të justifikohet se përgjegjësinë për mënyrën e trajtimit të këtyre individëve e ka shteti italian, sepse sic ka theksuar Gjykata e Strasburgut në vendimin Jamaa kundër Italisë, asnjë shtet anëtar i Këshillit të Evropës nuk përjashtohet nga përgjegjësia për respektimin e të drejtave sipas Konventës, për sa kohë që këta individë gjenden në territorin e saj.

10. Shteti shqiptar ka detyrimin që të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas dispozitave të Kushtetutës, Konventës Evropiane, Konventës së Vjenës, Konventës së Gjenevës dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut. Ky Protokolli përbën një nga rastet më flagrante të shkeljes së një tërësie të drejtash dhe lirish që garantohen nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare.

Në zbatim të pikës 3, të nenit 52, të ligjit organik për Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, duhet të vendosë pezullimin e menjëhershëm të procedurave parlamentare për ratifikimin e këtij Protokolli, deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës.

NJOFTIMI I MARRËVESHJES 

Marrëveshja, e para e këtij lloji për një vend të BE-së, u njoftua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama gjatë një takimi dypalëshe në Romë.

Sipas marrëveshjes, Italia do të ndërtojë dy qendra pritjeje në Shqipëri për të strehuar emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe nga autoritetet italiane, të cilët më pas do të zbarkohen në qytetin bregdetar shqiptar të Shëngjinit.

Çdo qendër do të ketë kapacitetin për të strehuar deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, shpjegoi Meloni, me synimin për të akomoduar rreth 36.000 aplikime në vit. Nga skema do të përjashtohen gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël.

Infrastruktura do të paguhet nga Roma, ndërsa Tirana është angazhuar të ofrojë shërbime sigurie dhe mbikëqyrje të jashtme. Nisja është caktuar për pranverën e vitit 2024.

Veçanërisht, qendrat do të qeverisen nën juridiksionin italian, një pikë që ka ngritur shqetësime për zbatimin jashtëterritorial të ligjit italian dhe të BE-së në një vend jashtë bllokut 27 anëtarësh.

 

“”