Qeveria e Malit të Zi humbi mbështetjen e partisë më të madhe në Kuvend, Partisë Demokratike të Socialistëve, pasi miratoi Projektmarrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Të dielën, Qeveria e Malit të Zi humbi mbështetjen e partisë më të madhe në Kuvend, Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Presidentit Milo Gjukanoviç, pasi miratoi Projekt-Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KPS) në një seancë të premten.

Pas seancës së Kryesisë, DPS-ja njoftoi se kjo parti, e cila ka 30 përfaqësues në parlament, do t’i refuzojë mbështetjen qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç.

“Qeveria nuk ka më mbështetjen tonë, sepse për DPS prioritet është, ka qenë dhe mbetet axhenda europiane. Ne e mbështetëm qeverinë pa kalkulime, duke besuar se Bashkimi Evropian është synimi ynë i përbashkët. Por tani kur, për fat të keq, është e qartë se nuk është kështu, ne vazhdojmë të luftojmë për të njëjtin qëllim pa kalkulime”, tha Jevto Erakoviç, anëtar i Kryesisë së DPS-së.

Partia Socialdemokrate (SDP) më parë tërhoqi mbështetjen e saj për qeverinë e Abazoviçit, duke njoftuar nisjen e një nisme për shkurtimin e mandatit të qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Qeveria e Abazoviçit, përkundër kundërshtimit të fortë të pesë ministrave, miratoi draft Marrëveshjen Themelore me KPS-në.

Kritikët thonë se dokumenti është në dëm të Malit të Zi dhe se regjistron në mënyrë të paligjshme pasuritë kulturore dhe fetare malazeze në Kishën Ortodokse Serbe.

Qeveria e pakicës e Abazoviçit u formua në fund të prillit dhe mori mbështetjen e 45 nga 81 përfaqësuesit në parlament.

Së bashku me URA-në e Abazoviçit, ajo përfshinte përfaqësues të kombeve pakicë të kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, si dhe të Partisë Popullore Socialiste Pro-Serbe (SNP) dhe SDP-së.

DPS e Gjukanoviçit nuk ka hyrë në Qeveri, por e ka përkrahur.

Abazoviç: E ardhmja evropiane do të fitojë

Gjithsesi, Dritan Abazoviç ka përshëndetur vendimin e Kryesisë së DPS-së, duke theksuar se do të shihet se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve.

“E mirëpres vendimin e Kryesisë së DPS-së. Është gjithashtu një akt i përgjegjshëm, pasi kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin të paktën të mos hakmerresh ndaj tij. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, ka shkruar Abazoviq në Tëitter.

Ai vuri në dukje se Mali i Zi duhet të ecë përpara dhe se krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione.

“E ardhmja evropiane do të fitojë”, tha Abazoviç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re