Presidenti serb Vuçiç, vlerësoi se ardhja e zyrës së Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar Amerikan (DFC) në Serbi është e rëndësishme për të ardhmen e vendit të tij.

Vuçiç tha në konferencën për shtyp se vitin e kaluar Serbia arriti maksimumin në shkëmbimin tregtar me SHBA – 854 milion dollarë dhe se DFC do të kontribuojë që shkëmbimi të jetë më i lartë.

Ai njoftoi se së shpejti do të bëhej punë në hapjen e një linje ajrore në Prishtinë, se do të punohej në rrugë dhe hekurudha, dhe se priste punë në rrugën Nish-Merdare, si dhe zgjerim në vendkalimin administrativ Merdare me Kosovën.

Vuçiç njoftoi se Serbia do të vazhdojë bisedimet me Prishtinën nën kujdesin e BE, por se ai do të presë takime me Shtetet e Bashkuara, të cilat, mbi të gjitha, i referohen zhvillimit ekonomik.

“Ne i vendosëm marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara në një mënyrë kontraktuale në 1881, që atëherë nuk kemi pasur një marrëveshje kaq të rëndësishme. Kjo është një ditë e rëndësishme për ne. 140 vjet kanë kaluar që nga ajo kohë për të bërë një marrëveshje të rëndësishme ekonomike me Shtetet e Bashkuara”, theksoi Vuçiç në një fjalim publik, pasi nënshkroi një deklaratë të përbashkët me përfaqësuesit e DFC dhe të dërguarin special Richard Grenell.

Ai tha se Serbia do të respektojë detyrimet e saj nga marrëveshja e arritur në 4 shtator në Uashington.

Drejtori Ekzekutiv i DFC, Adam Boehler vlerësoi se hapja e zyrës së DFC në Beograd është një moment historik dhe tha se ai beson në rajon. Ai vlerësoi guximin e presidentit të Serbisë, kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të nënshkruar marrëveshjen, sepse kjo do të thotë se rajoni nuk do të mbetet i bllokuar në të kaluarën. Ai shtoi se miliarda dollarë janë gati për projekte të shumta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re