Përpara vizitës së sotme në Athinë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nuk përjashton perspektivën e Hagës për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Igli Hasani dha një intervistë për mediat greke, disa orë para vizitës së tij në Athinë dhe takimit me homologun grek, Giorgos Gerapetritis, ku foli mes të tjerash mbi marrëveshjen për detin me shtetin fqinj dhe aspiratat e vendit tonë për integrimin në BE.
I pyetur nëse çështja e delimitimit të zonave detare (përcaktimit të kufijve mes dy territoreve) është në krye të agjendës së këtij takimi dhe nëse hapi i mëtejshëm është siç është rënë dakord në vitin 2020 paraqitja e kësaj mosmarrëveshjeje në Hagë, Hasani ka garantuar se qeveria shqiptare në këtë mandat të katërt mbetet e hapur dhe plotësisht e përkushtuar për të nxitur dialogun mbi të gjitha, çështjet e pazgjidhura dypalëshe duke mos e përjashtuar si mundësi.
“Qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Ne marrim pjesë në këto diskutime me frymën e respektit të ndërsjellë, me qëllimin për të arritur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal”, – shprehet ministri Jashtëm.
Kryediplomati Hasani është optimist në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve grekoshqiptare. “Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në mënyrë që përputhen me rregullat ndërkombëtare, duke u bazuar në lidhjet e thella historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë prej brezash”, – theksoi Hasani.
Shefi i diplomacisë shqiptare përsërit objektivin që të fillojë së shpejti mbyllja e kapitujve dhe përfundimi i negociatave deri në vitin 2027, duke e përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030. “Objektivi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve dhe të përfundojmë negociatat deri në vitin 2027, duke përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030”, – deklaroi ai.
Z.Hasani shpjegon edhe votën masive pro Ramës nga shqiptarët që jetojnë në Greqi. “Mbështetja e fortë nga shqiptarët që jetojnë në Greqi pasqyron besimin e vazhdueshëm të tyre në udhëheqjen e kryeministrit Rama, përkushtimin e qeverisë për reforma thelbësore dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, – u shpreh Igli Hasani.
Shqipëria dhe Greqia, sipas Hasanit, synojnë forcimin e lidhjeve jo vetëm në kontekstin evropian, por edhe në fusha si infrastruktura, burimet e rinovueshme të energjisë dhe shkëmbimet ndërnjerëzore. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Qipros, ku u prit nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit qipriot. Në takimin me Presidentin e Republikës, Nikos Christodoulides, ministri Hasani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe miqësore mes dy vendeve. Ai u shpreh se është koha për të intensifikuar dialogun politik dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fusha str ategjike si turizmi, energjia, teknologjia, arsimi dhe ndërtimi.
Gjatë vizitës, Hasani u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Qipros, Costantinos Kombos. Të dy homologët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen që Qipro i ka dhënë dhe vijon t’i japë integrimit evropian të Shqipërisë. Ministri shqiptar vlerësoi këtë qëndrim dhe theksoi pritshmëritë pozitive nga presidenca qipriote e Këshillit të BE-së në vitin 2026. Një tjetër temë e rëndësishme ishte krijimi i një linje ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Qipros, që do të lehtësonte ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe do të nxisë turizmin mes dy vendeve. Në kuadër të vizitës, u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Akademive Diplomatike për trajnimin e diplomatëve dhe shkëmbime institucionale.
Ministri Hasani zhvilloi takime, gjithashtu, me Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriu, dhe Zëvendësministren e Jashtme, Marilena Raouna, me të cilat diskutoi zhvillimet aktuale në Evropë dhe përgatitjet për presidencën qipriote të BE-së./Gazeta Panorama