Skip to content

Marrëveshja për emigrantët e paligjshëm! Në mëngjes mbërritën në Shëngjin, 4 nga 49 refugjatët do kthehen në Itali

Katër nga 49 emigrantët e paligjshëm që mbërritën sot në mëngjes në Shëngjin nga Italia, do të kthehen sërish në Itali, raporton Ansa.

Mësohet se në Itali do të kthehen tre të mitur dhe një i rritur.

Anija me 49 emigrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Bangladeshi mbërriti në vendin tonë sot rreth orës 07:30.

Ky ishte grupi më i madh i emigrantëve që zbarkuan në vendin tonë, që pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes Itali – Shqipëri.

Emigrantët iu nënshtruan disa procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse. Por mesa duket 4 prej tyre nuk kanë plotësuar kushtet për të qëndruar në Shqipëri dhe janë kthyer mbrapsht. Nuk ka detaje se për cilën arsye refugjatët u kthyen sërish në Itali.

Rinisja e marrëveshjes me Shqipërinë erdhi pas një ndalese prej rreth dy muajsh.

Transferimi i emigrantëve në qendrat përtej Adriatikut për një riatdhesim më të shpejtë, për të cilin kryeministrja Meloni ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes patrulluese të Marinës “Cassiopea”, e cila tashmë monitoron detin në Lampeduza.

Më parë gjatë periudhës tetor-nëntor, ka qenë anija “Libra” ajo që sillte emigrantët, por 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Gjadrit u liruan me vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet.

Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.

“”