Është nisur nga Italia drejt Shqipërisë anija Libra, e cila do të sjellë në kampet e emigrantëve në Shëngjin, 8 refugjatë, të kapur dy ditë më parë në jug të Lampedusës.

Sipas ANSA-s, anija italiane pritet të mbërrijë në Shqipëri ditën e nesërme në mëngjes.

Ashtu si herën e kaluar, azilkërkuesit do të zbresin në Shëngjin dhe më pas do të dërgohen në qendrën e Gjadrit.

La Repubblica shkruan se anija Libra u nis drejt Shqipërisë, me vetëm tetë persona në bord, nga nëntë që u zgjodhën fillimisht, pasi një burrë nga Bangladeshi u gjykua shumë i vjetër dhe me shëndet shumë të dobët.

Kujtojmë se ky është udhëtimi i dytë i Libras drejt Shqipërisë, pasi pak javë më parë solli në kampe 16 emigrantë, të cilët nuk qëndruan për shumë gjatë.

Pa kaluar shumë ditë, të gjitha ata u rikthyen në Itali. Vendimi u mor nga Gjykata e Romës, e cila vendosi kthimin e tyre në Itali, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azilkërkuesit e vendeve të pasigurta.

Duke iu referuar edhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në vendimin e trupës së gjyqtarëve të Romës thuhet se Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe, për këtë arsye, emigrantët duhet të qëndronin në Itali dhe jo në kampe, as nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re