Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, duke folur për mediat pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore, e konsideroi një hap shumë të madh përpara dhe tha se SHBA është krenare për këtë që liderët politikë në Shqipëri kanë arritur.

“Jemi shumë të kënaqur, që pamë Këshillin Politik të arrijë një marrëveshje. Është rezultat i shumë diskutimeve dhe orëve pune nga secili prej tyre. Çdo parti, cdo person dha kontribut dhe kanë dhënë dicka.

E bënë këtë, në mënyrë që të fitojë Shqipëria. Ky është moment për të qenë krenarë.Disa do ta kritikojnë marrëveshjen si jo të mjaftueshme, por ky është një hap i madh përpara. 

SHBA është krenare për këtë marrëveshje dhe ne do t’ju mbështesim në rrugëtimit tuaj drejt Bashkimit Europian“, tha Kim.

Mazhoranca dhe opozita, nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë dhe të paprecedent të tre ambasadorëve, kanë arritur marrëveshjen për reformën zgjedhore.

Palët kanë arritur dakordësinë për disa cështje themelore. Është rënë dakord për identifikimin elektronik të votuesve 100%, kërkesë kjo e opozitës, e cila është pranuar nga mazhoranca. Gjithashtu është rënë dakord që KQZ të ketë tre nivele.

Ndërsa lidhur me komisionet zgjedhore, nuk do të ketë asnjë ndryshim dhe ka rënë poshtë ideja e depolizimit të tyre.

Mazhoranca ka siguruar se marrëveshja e firmosur, nuk do të pësojë asnjë ndryshim në Kuvendin e Shqipërisë.

Mësohet se marrëveshjen e ka firmosur përveç mazhorancë dhe opozitës edhe Rudina Hajdari, një sinjal se opozita e re, do të votojë në Kuvend këtë marrëveshje.

Kujtojmë se kjo reformë nuk përfshin ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave të deputetëve, kërkesë kjo e 50 mijë qytetarëve që kanë firmosur një peticion të “Nisma Thurje”, lidhur me këtë cështje. Kjo kërkesë u anashkalua nga të gjitha palët, të cilat nuk ishin të interesuar për një reform thelbësore të sistemit, por vetëm arnim të sistemit aktual.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re