Prej 24 orëve po diskutohet në opinionin publik se çfarë fitoi opozita nga marrëveshja e firmosur me ndërmjetësimin e BE-SHBA. Përse u bë e gjithë kjo gurgule 7 vjeçare, ku u krye gjithçka; që nga çadra e vitit 1997 ku u rrezikuan zgjedhjet parlamentare, e deri tek djegia e mandateve vitin e shkuar, ku PD e LSI braktisën Parlamentin dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të 2019-s.

E në fakt parë në kushtet ekstreme të PD që kërkonte largimin e Edi Ramës nga qeveria ose nuk ka zgjedhje, ajo që u arrit mbrëmë, të paktën publikisht nuk përmbush asnjë nga “kushtet e panegocueshme” të shpallura nga Basha që kur ky i fundit vendosi të mos përballë asnjë betejë elektorale me Edi Ramës, pas humbjes së madhe në votimet për bashkitë në vitin 2015. Madje edhe me marrëveshjen e 17 Majit 2017 nëse e krahason, pakti i arritur mbrëmë është ku e ku më poshtë.

Në marrëveshjen e negociuar nga zyrtari i lartë i State Departamentit, Hoyt Brian Ye, Lulzim Basha mori një mekanizëm të rëndësishëm garancie siç ishte pjesëmarrja në qeveri me ministrat kryesorë, si edhe drejtimin e disa agjencive qeveritare, të cilat sipas opozitës përdoren për trafik zgjedhor.

Ndërkaq, sot opozita jo vetëm që nuk është në asnjë institucion, por është larguar edhe nga bashkitë që ka pasur, duke mos kontrolluar as procesin e përgatitjeve të Listave Zgjedhore.

Kurse në marrëveshjen aktuale, opozita thjesht ka mbajtur në fuqi të gjitha elementet e derisotëm të administrimit zgjedhor, përveç ndonjë shtese të vogël, siç është zv.komisioneri i KQZ-së për teknologjinë, i cili gjithsesi nuk ka të drejtë vote.

Po përse atëherë opozita e ka firmosur një marrëveshje që edhe në sy të opinionit, por edhe praktikisht nuk ka fituar asgjë më shumë, madje edhe ka humbur?

Shumë thjeshtë: realisht nuk kishte asnjë rrugë tjetër; pasi ajo i harxhoi “të gjithë plumbat” vitin e kaluar kur braktisi Parlamentin e pushtetin vendor.

E vetmja rrugë që i ka ngelur është rebelimi dhe “lufta civile” që përmendin shpesh analistë të opozitës.

Por ky nuk është fare opsion i një partie politike e një vendi të NATO-s dhe pranë hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

E provoi vitin e shkuar ku në protestat opozitare u hodhën edhe bomba molotov në ndërtesat e kryeministrisë dhe Kuvendit, por edhe kërcënimi nga SHBA se nëse do të vijonte këto rrugë, do të listohej tek organizatat e dhunshme.

Gjithçka që ka humbur, opozita e ka konsumuar një vit më parë, ndaj rruga e vetme që kishte përpara saj ishte rihyrja në institucione.

Negocimi i ambasadores amerikane dhe atij të BE-së, i kanë dhënë një “podium: PD-së duke e shpallur të rëndësishme, por që nga ana tjetër i kanë bërë të qartë që jo vetëm nuk ka rrugë tjetër përveç rihyrjes në sistem.

Në një farë mënyre Lulzim Basha u rikthye në pikën zero, pasi kishte zbritur shumë minus në 2019-n./ GazetaShqip

*Çfarë ju dha opozitës për ta futur në zgjedhjet e vitit 2017*

Posti i Presidentit (Ilir Meta)
Zv.Kryeministër, teknik (PD)
Ministri i Brendshëm, teknik (PD)
Ministri i Arsimit, teknik (PD)
Ministri i Shëndetësisë, teknik (PD)
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, teknik (PD)
Ministri i Financave, teknik (PD)
Ministri i Drejtësisë, teknik (PD)
Drejtori i OSHEE (PD)
Drejtori i Përgjithshëm i Aluiznit (PD)
Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave (PD)
Drejtori i pergjithshem i Burgjeve (PD)
Drejtori i pergjithshem i Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural (PD)
Kryetari i KQZ, propozim i opozitës (PD)
Avokati i Popullit, propozim i opozitës (PD)

*Çfarë ju dha opozitës për ta futur në zgjedhjet 2021?*

Komisionerët politik njësoj siç i kishte në 2017.
Premtimi për identifikim biometrik të zgjedhësve.
Një kamer brenda qendrës së votimit.
Zv.kryetari i KQZ (pa vendimmarrje) deri në 2023 për monitorimin e procesit të implementimit të teknologjise dhe depolitizimit të komisioneve.

*Çfarë ka humbur PD nga 2017 deri më tani?*

Humbi zgjedhjet parlamentare 2017.
Dogji mandatet e deputetëve duke dalë nga sistemi.
Bojkotoi zgjedhjet dhe humbi 100% të pushtetit lokal.
Presidenti në procedurë shkarkimi në Parlament.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re