VALENTINA MADANI/ SHBA-të dhe BE përshëndetën dje mazhorancën dhe opozitën për dakordësinë mes tyre pas 5 muajve kaos në Kuvend, por duke u kujtuar palëve përgjegjësitë e tyre.

Ambasada amerikane e akredituar në Tiranë reagoi pas arritjes së marrëveshjes mes PS-së dhe grupit të ‘Rithemelimit’, e cila do të sjellë edhe normalitetin në Parlament. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-ve thekson se është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Sipas ambasadës, institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”, – shkruhet në njoftim.

Pas Ambasadës së SHBA-ve, reagoi edhe delegacioni i Bashkimit Europian, i cili përshëndeti arritjen e dakordësisë mes mazhorancës dhe “Rithemelimit” për ngritjen e komisioneve hetimore.

Në reagimin e delegacionit të BE-së theksohet se një Parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve.

“Mirëpresim lajmin për rikthimin e normalitetit në Parlament. Siç kemi thënë edhe më parë, një Parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve”, – thuhet në reagimin e BE-së”.

Kujtojmë se ditët e fundit u fol për negociata mes dy forcave më të mëdha politike në vend, në mënyrë që të merrte fund strategjia bllokuese e seancave plenare. Paraditen e djeshme u arrit dakordësia PS-PD për ngritjen e dy komisioneve hetimore, atë për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi.

Të hënën gjatë takimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA-ve, David Wisner u diskutua pikërisht për “një Parlament funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit”. Po dje ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, deklaroi në Shkodër se, sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, vendi ynë duhet që të bëjë përmirësime të mëtejshme, të vazhdueshme dhe të shpejta.

“Vizioni ynë është për një Europë të fortë dhe natyrshëm edhe për një Shqipëri të fortë” – tha ambasadorja franceze, teksa po merr pjesë në një aktivitet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në universitetin “Luigj Gurakuqi”.

“Ju u referoheni ngjarjeve të shkuara, por dua t’ju them se Franca nuk është se ka bllokuar procesin e integrimit të BE-së në Shqipëri, por ka kërkuar një qasje për një metodologji të re. Do të doja të përmendja vizitën e Macron në Shqipëri së fundmi dhe ai gjatë gjithë vizitës së tij ka përmendur mbështetjen e Francës për Shqipërinë sa i përket integrimit në BE. Gjatë këtij mandati që sapo e kam filluar, jemi në mbështetje të integrimit të Shqipërisë dhe po punojmë për këtë. Dëshiroj të nënvizoj edhe vizionin që kemi për Europën, për një Europë të fortë dhe normalisht, edhe një Shqipëri të fortë. Shqipëria duhet që të bëjë përmirësime të mëtejshme, të vazhdueshme dhe të shpeshta”, – theksoi ambasadorja franceze.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re