Memorandumi i Mirëkuptimit për Përcaktimin e Juridiksionit Detar midis Turqisë dhe Libisë mbushi njëvjetorin, ndërsa kjo marrëveshje shihet të ketë ndryshuar në masë të konsiderueshme ekuilibrat në Mesdheun lindor në këtë kohë të shkurtër.
Procesi i miratimit të memorandumit të nënshkruar më 27 nëntor 2019 midis Libisë dhe Turqisë u finalizua më 8 dhjetor 2019, kurse në tetor të këtij viti, marrëveshja u regjistrua edhe nga Kombet e Bashkuara (OKB).
E përgatitur në përputhje me parimin e drejtësisë dhe me të drejtën ndërkombëtare, marrëveshja synon të mbrojë të drejtat dhe interesat e të dy vendeve në Mesdheun Lindor.
Përgjigje ndaj hapave të njëanshëm në Mesdheun Lindor
Marrëveshje midis Turqisë dhe Libisë ka cilësinë e një përgjigjeje të fortë ndaj hapave të njëanshëm të Administratës Greke të Qipros Jugore në lidhje me përcaktimin e juridiksionit detar që nga viti 2003, duke pretenduar të jetë pronari i vetëm i ishullit dhe në kundërshtim me parimin e drejtësisë.
Në këtë kontekst, Qiproja Greke ka 3 marrëveshja të cilat nuk njihen nga Turqia. Administrata greke qipriote nënshkroi marrëveshje për përcaktimin e juridiksionit detar me Egjiptin në vitin 2003, marrëveshje me Libanin më 2007 dhe me Izraelin në vitin 2010.
Në veçanti, marrëveshja me Egjiptin shkel shelfin kontinental të Turqisë të regjistruar nga OKB-ja.
Ndërkaq, Greqia, nëpërmjet “hartës së Seviljes”, me objektiva maksimaliste, ëndërron ta burgosë Turqinë në Gjirin e Antalyas dhe në një zonë të ngushtë detare rreth saj.
Duke firmosur marrëveshje me Egjiptin në muajin gusht, Greqia u përpoq ta bëjë “të pavlefshme” marrëveshjen Turqi-Libi, por nuk e mori atë që shpresonte.
Marrëveshja egjiptiano-greke arriti të delimitojë një zonë jashtëzakonisht të ngushtë për shkak të ngurrimit të Egjiptit, i cili dukej se nuk ndante pikëpamjet maksimaliste të Greqisë mbi ishujt. Megjithatë, Turqia në çdo rast shpjegon se nuk e njeh këtë marrëveshje.
Turqia për vite me radhë bën thirrje për drejtësi dhe dialog
Turqia prej vitesh ka bërë thirrje për dialog për zhvillimin e zgjidhjeve të drejta përballë hapave të njëanshëm në rajon.
Përkundër thirrjeve për dialog të Turqisë, e cila u shpreh e gatshme për nisjen e negociatave për delimitimin detar me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë Qipron Greke, hapat e njëanshme dhe përpjekjet e izolimit vazhduan.
Përballë këtyre hapave, Turqia, duke theksuar haptazi se do të mbronte të drejtat e saj dhe të turqve qipriotë, në vitin 2011 nënshkroi marrëveshjen e parë për përcaktimin e juridiksionit detar me Republikën Turke të Qipros Veriore (KKTC).
Në vitin 2011, Turqia nisi hulumtimet sizmike, ndërsa më 2018 filloi me aktivitetet e shpimit.
Marrëveshja e nënshkruar me Libinë në vitin 2019 përbënte një nga hapat më të fortë të ndërmarrë në këtë fushë.
Përgjigje ndaj hapave për izolimin e Turqisë
Marrëveshja midis Turqisë dhe Libisë ishte edhe përgjigje ndaj hapave për izolimin dhe rrethimin e Turqisë, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdheun Lindor, duke marrë po ashtu nën mbrojtje edhe të drejtat e shelfit kontinental të Turqisë.
Me marrëveshjen, e dyta e Turqisë për delimitimin e juridiksionit në det të hapur, u vizatuan kufijtë perëndimorë të shelfit kontinental të Turqisë në Mesdheun Lindor, ndërsa pakti po ashtu u regjistrua në OKB.
Me këtë marrëveshje, Turqia vuri në pozitë të vështirë palët të cilët u përpoqën ta izolojnë atë.
Përfitim i rëndësishëm për Libinë
Marrëveshja nuk siguroi përfitime vetëm për Turqinë, por me të, u mbrojtën edhe të drejtat e juridiksionit detar të Libisë përballë Greqisë.
Negociatat midis Libisë dhe Greqisë për përcaktimin e juridiksioneve detare filluan në vitin 2004. Megjithatë, në vitin 2014, duke përfituar nga trazirat politike në Libi, në një lëvizje të njëanshme, Greqia shpalli licenca mbi lokacione të hidrokarbureve në jug të ishullit të Kretës.
Marrëveshja midis Turqisë dhe Libisë i dha përgjigje këtij hapi të Greqisë që është në kundërshtim me parimin e drejtësisë.
Me marrëveshjen, Libia fitoi rreth 36.000 kilometra katrorë juridiksion detar, krahasuar me një delimitim që do të bëhej me logjikën e Greqisë.
Ndryshim i ekuilibrave në Mesdheun Lindor
Marrëveshja Turqi-Libi e nënshkruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë më së shumti tërhoqi reagimin e Greqisë.
Duke argumentuar se marrëveshja nuk njeh të drejtat e ishujve grekë, Athina deklaron se marrëveshja është kundër së drejtës ndërkombëtare.
Megjithëse marrëveshja u nënshkrua me qeverinë legjitime të Fayez al-Sarraj, të njohur nga OKB-ja, Greqia dhe Egjipti pretendojnë se qeveria al-Sarraj nuk ka autoritet për të nënshkruar marrëveshje.
Në marrëveshje, e hartuar në përputhje me Konventën e Ligjit të Detit të OKB-së dhe gjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, respektohen parime si moskrijimi i shelfit kontinental të ishujve në mënyrë automatike dhe Zonave Ekskluzive Ekonomike, delimitimi i drejtë, marrja parasysh e distancave frontale dhe mosndërprerja e projeksionit bregdetar të Turqisë.
