Turqia dhe Ukraina nënshkruan në Stamboll një marrëveshje mbi bashkëpunimin ushtarak, duke thelluar partneritetin e mbrojtjes për të ulur dominimin e Rusisë në rajonin e Detit të Zi, raportoi dhe komentoi AP.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ai turk Rexhep Tajip Erdogan morën pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje “qëllimesh të mira” mbi industrinë e mbrojtjes dhe një “marrëveshje kornizë ushtarake”, thanë zyrtarët, pa dhënë hollësi.

“Turqia e sheh Ukrainën si një vend kryesor për vendosjen e stabilitetit, sigurisë, paqes dhe prosperitetit në rajon,” tha Erdogan pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes midis dy shteteve të Detit të Zi, të cilat kanë forcuar bashkëpunimin ushtarak në vitet e fundit.

Zelenski tha se marrëveshjet hapin rrugën për “mundësi të reja”.

“Bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes është i rëndësishëm për zhvillimin e partneritetit tonë strategjik dhe unë jam i lumtur që po e forcojmë atë sot,” tha presidenti ukrainas.

Çështja e njohjes së aneksimit të Krimesë

Vitin e kaluar, Ukraina bleu dronë ushtarakë nga Turqia që mund të përdoren në misione zbulimi dhe luftarake.

Nënshkrimi i marrëveshjes vjen në një kohë kur konfliktet në Kaukaz përreth Karabagut po rëndojnë marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë. Turqia ka mbështetur Azerbajxhanin në mosmarrëveshje, ndërsa Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe një marrëveshje sigurie që kërkon nga Moskëa të ndërhyjë nëse sulmohet aleatja e saj.

Por Rusia kërkon të mbajë marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin dhe të shmangë prishjen e marrëdhënieve me Turqinë.

Megjithëse Ankaraja dhe Moska kanë zhvilluar marrëdhënie të forta ekonomike dhe kanë interesa të përbashkëta në Siri dhe Libi, ato shpesh janë nën tensione si rivalë gjeopolitikë.

Erdogan përsëriti se Turqia nuk do të njohë aneksimin e Rusisë të gadishullit ukrainas të Krimesë.

“Turqia nuk e ka njohur aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe nuk do ta bëjë kurrë atë,” tha udhëheqësi turk, të cilit iu dha një medalje nga një koleg ukrainas në mbështetje të “integritetit territorial” të Ukrainës.