Sipas një studimi të ri, shtimi i kripës në vaktet tuaja rrit shanset për t’u prekur nga diabeti i tipit 2.

Mjekët kanë paralajmëruar prej vitesh se konsumimi i tepërt i kripës mund të çojë përfundimisht në sulme në zemër, goditje në tru.

Por studimi i ri, nga Universiteti Tulane në SHBA, është i pari që lidh marrjen e tepërt të kripës me diabetin e tipit 2.

Ekspertët analizuan të dhënat nga më shumë se 400,000 britanikë të cilët u pyetën në lidhje me marrjen e kripës dhe sa shpesh shtonin kripë në vaktet e tyre në tryezë.

Gjatë një studimi prej rreth 12 vitesh, mesatarisht, mbi 13,000 pjesëmarrës zhvilluan diabetin e tipit 2.

Ata zbuluan se njerëzit që e shtonin kripën në çdo vakt kishin një rrezik 39% më të lartë për t’u prekur nga diabeti në krahasim me ata që nuk e konsumonin kripën.

Ndërkohë, ata persona që shtonin kripë ‘ndonjëherë’ në vaktet e tyre  kishin një rrezik përkatësisht 13% deri 20% më të lartë.

Autori kryesor, profesor Lu Qi tha: “Ne tashmë e dimë se kufizimi i kripës mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe hipertensionit. Por ky studim tregon për herë të parë se eleminimi i kripës nga tavolina mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit të tipit 2”.

Duke folur për revistën, Mayo Clinic Proceedings, ekipi tha se nevojiteshin kërkime të mëtejshme për të kuptuar pse marrja e kripës lidhej me rritjen e rrezikut të diabetit.

Studimet e mëparshme kanë treguar gjithashtu se marrja e kripës lidhet me presionin anormal të gjakut dhe inflamacionin, këto mund të kontribuojnë gjithashtu në rrezikun e rritur të diabetit dhe studimi i ri  shton provat se marrja e kripës me tepricë është e lidhur me një rrezik më të lartë të zhvillimit të diabetit të tipit 2 – megjithëse nuk thotë pse kripa është drejtpërdrejt përgjegjëse për këtë.

Ekspertët shtojnë: “Këshilla jonë është të përpiqeni të kufizoni sasinë e kripës që konsumoni, maksimumi një lugë çaji (6 g) kripë në ditë”.

Shumë ushqime të para-paketuara, si proshuta, salçiçet, patatet e skuqura, ushqimet e gatshme përmbajnë kripë. Kështu që mos harroni të kontrolloni etiketat e ushqimeve dhe zgjidhni ato me më pak kripë.

Në vend që të shtoni kripë shtesë në ushqimin tuaj, provoni erëza të ndryshme për t’i shtuar shije./DailyMail.co.uk

Përktheu për Gazetën shëndeti, Griselda Ozuni

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re