Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka deklaruar se thirrjet për protesta në Mitrovicën e Jugut dhe me qëllim të marshimit drejt veriut janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.

Sipas ministrit Sveçla, persona të panjohur me profile të dyshimta po tentojnë të nxisin tubime të panevojshme përmes rrjeteve sociale.

“Sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur nga profile të dyshimta në rrjetet sociale. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos iu përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe anonime”, tha Sveçla.

Ai pohon se mbështetja e madhe e qytetarëve për vendimet korrekte dhe legjitime të qeverisë dhe institucioneve është garanci për vendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të Kosovës.

Me të njëjtën gjë ka reaguar dhe Policia e Kosovës.

Në komunikatë, theksohet se ftesat për t’u mbledhur në Mitrovicën e Jugut janë dashakeqe, në dëm të qytetarëve dhe interesave të Kosovës.

“Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në asnjë gjoja organizim të personave të panjohur, por t’ua lënë institucioneve të sigurisë, institucioneve të Republikës së Kosovës që të merren me situatën në mënyrë profesionale”, thuhet në deklaratën e policisë.

KFOR-i në pesë lokacione të tjera në Zveçan, protesta vazhdoi

Protestat serbe kanë vijuar në Zveçan, ndërsa KFOR-i sot, përveç para ndërtesës së komunës, ka dislokuar ushtarët e tij edhe në pesë lokacione të tjera të qytetit.

Sot ka shumë më pak qytetarë në rrugë. Ata vendosën çadra dhe stola për t’u ulur jo larg telit me gjemba dhe kordonit të KFOR-it, i cili ofron një qasje më të gjerë në ndërtesën komunale.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një deklaratë për media ka thënë se KFOR-i iu përgjigj dje kërkesës së tij për të shtuar praninë e ushtarëve në disa lokacione për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës.

“Pas bisedës së djeshme me komandantin e përgjithshëm të kësaj pjese këtu, kolonelin amerikan të KFOR-it, kemi marrë garanci dhe shohim se sot e kanë përmbushur premtimin. Kanë dislokuar forcat e tyre në pesë pika këtu në rrugicat përreth dhe në qendër, në hyrje, për të penguar hyrjen e njësisë speciale të policisë që të mos ketë incident”, tha Rakiç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re