Shfaqja vjetore e forcës u zhvillua në një atmosferë të tensionuar pas dhjetëra vdekjeve izraelite dhe palestinezë që nga fillimi i vitit

Dhjetëra mijëra izraelitë u mblodhën në Jerusalem të enjten për “Marshimin e flamujve”, një demonstrim që është shndërruar vitet e fundit në një shfaqje force nga nacionalistët hebrenj, ndërsa shënon përvjetorin e pushtimit të qytetit nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Këtë vit, ky marsh u organizua në një atmosferë të tensionuar: që nga fillimi i vitit, rreth 200 persona kanë humbur jetën në Izrael dhe në territoret palestineze, 35 prej tyre në “luftën pesëditore” (9-13 maj), mes ushtrisë izraelite dhe organizatave të armatosura palestineze në Rripin e Gazës.

Një incident ndodhi në Portën e Damaskut në Qytetin e Vjetër, kur marshuesit hodhën gurë dhe shishe ndaj gazetarëve, sipas korrespondentëve të AFP. Më herët, gazetarët nga e njëjta agjenci thanë se panë hebrenj të rinj duke pështyrë palestinezët dhe duke shkelmuar njërin prej tyre, përpara se policia të ndërhynte për t’i shpërndarë. Disa protestues brohoritën “Vdekje arabëve”.

Në Gaza, mijëra njerëz, duke mbajtur flamuj palestinezë, u mblodhën në kufirin me Izraelin. Ushtria izraelite hodhi gaz lotsjellës në drejtim të atyre që i afroheshin gardhit të sigurisë.

Një burim i afërt me shërbimet palestineze të sigurisë në Gaza tha gjithashtu se anëtarët e Hamasit, i cili kontrollon enklavën, hodhën një raketë “paralajmëruese” në Mesdhe.

“Marshi i flamujve” është një demonstrim i organizuar nga Izraeli me rastin e “Ditës së Jerusalemit”, për të festuar “ribashkimin” e qytetit pas luftës arabo-izraelite të vitit 1967. OKB-ja nuk e njeh aneksimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli, pasi e konsideron atë “të paligjshëm” sipas ligjit ndërkombëtar.

Marshimi tradicionalisht kalon nëpër Qytetin e Vjetër, në Jerusalemin Lindor dhe përfundon në Murin e Vajtimit, vendin e shenjtë hebre të lutjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re