Skip to content

Marta Burda, nëna e vërtetë shqiptare që zhvilloi karrierën artistike në teatrin e Durrësit

1567938155 730 Marta Burda nena e vertete shqiptare qe zhvilloi karrieren artistike

 

 

 

Marta Burda nena e vertete shqiptare qe zhvilloi karrieren artistike

“Marta Burda ishte një artiste shumë e zonja, një femër që diti të interpretojë në mënyrë mjaft realiste rolet e nënave shqiptare, një grua shumë e bukur, e për më tepër një aktore që nuk u shkëput asnjëherë nga teatri dhe kinematografia”. Kështu do t’i fillonte kujtimet e tij për Martën ish-drejtori i teatrit “Aleksandër Moisiu” deri në fund të viteve ‘90 dhe poeti i njohur durrsak, Bardhyl Agasi.

“Megjithëse kishte dalë në pension, shpirti i saj vazhdonte të jetonte me teatrin. Marta ishte si një nënë për aktoret e reja dhe nuk lodhej asnjëherë duke i mësuar, duke i qëndruar afër, duke u dhënë këshilla të vlefshme”, kujton Agasi. E lindur në Korçë në 20 korrik 1926, karrierën e saj si aktore Marta Burda e nisi që herët, në moshë fare të re.

E rritur në një ambient me nivel mjaft të lartë kulturor; gjyshi i saj ishte atdhetari dhe akademiku Nikolla Naço, i ati Vani Burda ishte një fotograf shumë i njohur në qytetin e Korçës, poeti dhe atdhetari Hil Mosi ishte kumbari i saj, ndërsa Lasgush Poradeci dhe Kristaq Antoniu ishin miq të familjes, Marta u pikas që e vogël për talentin e saj në interpretim.

 

1567938154 732 Marta Burda nena e vertete shqiptare qe zhvilloi karrieren artistike

Edhe pse ishin ende vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe në Shqipëri mbizotëronte mentaliteti që femrën e shihte vetëm brenda katër mureve të shtëpisë, korçarja e bukur pati mundësi të shkonte në Tiranë dhe me ndihmën e kumbarit të saj ndoqi studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, ku mori një kulturë të mirë për kohën. Ky duket se ishte hapi i parë që hodhi Marta për të dalë nga kornizat e ngurta të shoqërisë së asaj kohe, drejt emancipimit të saj dhe të shumë brezash grash, që shoqëria patriarkale shqiptare i shihte vetëm në rolin e grave dhe nënave.

Angazhimet e saj në grupet amatore do të fillonin gjatë viteve të luftës. Veterani Dhimitër Koço Grameno kujton: “Në shtator 1943 organizuam një grup të vogël artistik. Midis pjesëmarrësve dhe ndër më të dalluarat ishte Marta, e cila më vonë u bë një artiste e denjë e teatrit shqiptar”. Duket se rruga e korçares ishte shenjuar dhe ajo ishte mjaft e vendosur ta ndiqte atë. Pas çlirimit të vendit, ajo do të ishte ndër aktoret themeluese të teatrit të shtetit që u ngrit në vitin 1945.

Bukuria e korçares brune, me sytë e mëdhenj e të thellë, e ndërthurur me interpretimin mjaft dinjitoz do të ishin magnet për publikun, që gjithnjë ka duartrokitur lojën e saj artistike. Në ato vite ajo interpretoi në disa drama si: “Për ata që janë në det”, “Procesi i Lajpcigut”, “Borgjezi fisnik” etj. Ajo interpretoi krahas aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare, si: Mihal Popi, Naim Frashëri, Liza Vorfi, Marie Logoreci etj.

Edhe pse ishte në fillimet e karrierës së saj, gazeta “Albanezul” që dilte në Bukuresht të Rumanisë do të shkruante në vitin 1945 një artikull për të. “Marta Burda, mbesa e Nikolla Naços, princeshë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare”, shkruhej në titullin e artikullit, ndërkohë në shkrim nënvizohej se Marta “kishte një zë të ëmbël, me nuanca, që i jepnin shpesh kolorit recitativ”. Por pjesën më të madhe të karrierës së saj artistike Burda do ta zhvillonte në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

 

1567938155 730 Marta Burda nena e vertete shqiptare qe zhvilloi karrieren artistike

“Erdhi në Durrës vetëm një vit pasi ishte krijuar teatri profesionist, atëherë kur ishte 28 vjeçe dhe e kaloi thuajse gjithë jetën e saj në skenë. Ajo do të përbënte së bashku me Nikolin Xhojën, Vangjel Hebën, Spiro e Vera Urumin, Lutfi Hoxhën etj. brezin e parë të aktorëve që i dhanë jetë skenës së teatrit të Durrësit”, thotë Bardhyl Agasi. Ndërkohë, studiuesi Josif Papagjoni, në enciklopedinë “Teatri dhe kinematografia shqiptare” shkruan për Burdën:

“Në skenën e teatrit të Durrësit ka mishëruar shumë figura artistike, kryesisht role grash e nënash të dhimbsura, të buta, shpirtbardha, por edhe ankuese, të shqetësuara, me një dashuri të thellë e të heshtur për bijtë e tyre në hall, si në shfaqjet Mbreti Lir, Pulëbardha, Mulliri i Kostë Bardhit, Kartela e verdhë, Mirë se erdhe Elona, Dorina etj. Ky lloj tipi erdhi duke u përkryer në aktrimin e saj të ngrohtë, i pasuruar edhe me prurje të tjera, kryesisht me figura grash të paqme, me dinjitet, qëndrestare…”.

Pikërisht në rolet e nënave, Marta korri duartrokitjet më të zjarrta të publikut. Emocionet e forta që përcillte Marta përmes interpretimit të saj, i nënvizon edhe drejtoresha e bibliotekës publike të Durrësit, Flora Dervishi, e cila kujton se ndërsa aktorja interpretonte një poezi të saj, “Një vit pas eksodit”, shumë nga zonjat e pranishme në takim u përlotën. Sipas Dervishit, ky ishte interpretimi i fundit i Martës, aktores që iu përkushtua teatrit me mish e me shpirt si shumë aktorë të tjerë të brezit të saj.

 

1567938156 580 Marta Burda nena e vertete shqiptare qe zhvilloi karrieren artistike

“Muajin e fundit para se të ndahej nga jeta, kur ndodhej e shtruar në spital, ajo vazhdonte të ishte sërish e fortë, po grua e vendosur që e njihja prej kohësh. Ndërsa e kishte kuptuar se po jetonte ditët e fundit të jetës, përpiqej të ishte e fortë për vajzën e saj, Rebekën, dhe dy mbesat e dashura.

Marta ishte një gjyshe mjaft e dashur dhe në vitet e fundit unë e mbaj mend përherë nën shoqërinë e mbesave të saj që vazhdonin studimet në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”. Ajo i inkurajoi ato drejt rrugës së artit, ashtu siç kishte bërë me shumë artiste të reja”, thotë Agasi.

Por krahas dashurisë së madhe për të afërmit e saj në të njëjtën kohë Marta ishte mjaft e dashur dhe e afruar me njerëzit. Pas çdo shfaqjeje ajo nuk nguronte t’i pyeste të njohurit dhe jo vetëm sesi u ishte dukur interpretimi i saj dhe dëgjonte me mjaft vëmendje qoftë kritikat, qoftë edhe fjalët e mira. Disa nga rolet e saj më të spikatura janë Ana Valter, Mis Elisa, Katerina Ivanovna, Irina Pavllovna, Nica, nëna kosovare etj.

Por krahas teatrit, një pjesë e mirë e karrierës së Marta Burdës është zhvilluar në kinematografi. Edhe në ekranin e madh të kinemasë, ashtu si në teatër, Burda është shfaqur kryesisht në rolin e nënave tek filmat: Zani Partizani, Balonat, Në shtëpinë tonë, Agimet e stinës së madhe, Zëvendësi i grave etj. Pas plot 50 viteve në skenë, Marta Burda numëron rreth 150 role në teatër dhe kinematografi.

 

1567938157 964 Marta Burda nena e vertete shqiptare qe zhvilloi karrieren artistike

“Por krahas talentit të saj artistik Marta Burda dha shumë gjatë jetës së saj edhe në drejtim të emancipimit të gruas shqiptare. Me shembullin e saj ajo inkurajoi mjaft femra drejt rrugës së artit, në një kohë kur shoqëria shqiptare ishte mjaft e mbyllur dhe mentaliteti patriarkal rëndonte mjaft mbi kurrizin e grave shqiptare”, thotë Agasi. Marta Burda u nda nga jeta në vitin 1995, në moshën 69-vjeçare.

Për kontributin e saj shumëvjeçar në skenën shqiptare Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha në 15 shtator 1988 titullin “Artiste e Merituar”. Ndërkohë në vitin 2003, Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit i akordoi titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Një nga aktoret e para të Shqipërisë që ka themeluar Teatrin Kombëtar, vajzë e një prej familjeve më të vjetra e patriotike të qytetit të Korçës.

Ka interpretuar me nivel dhe talent të rrallë mbi 150 role kryesore në skenën shqiptare nga fillimet e veprimtarisë artistike në grupet e rinisë antifashiste (shtator 1943) e gjatë më shumë se 50 viteve duke dhënë figura të paharruara artistike në teatër e kinematografi”.

 

/aktoretshqiptare.info