Fieri mban rekord për divorce, martesa fiktive dhe fëmijë të lindur jashtë martese. Sipas statistikave, për vitin 2025 rezulton se u regjistruan nga një deri në dy kërkesë-padi në ditë për zgjidhje martese, ndërsa në total janë shënuar 571 raste brenda të divorceve.
- “Në zgjidhjet e martesave është dhe një numër shumë i lartë i martesave fiktive. Janë martesa të lidhura me persona që kanë probleme me dokumentacionin në shtete të ndryshme. Këta persona krijoin martesa fiktive, marrin mbiemrat e rinjë të bashkëshorteve me të cilat bëjnë dokumentacione me qëllim kalimin në shtete të ndryshme”, thotë avokati Ervis Goxhaj.
Të dhënat nga Gjykata e Fierit tregojnë edhe rritje të padive për mosnjohje atësie. Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar 29 çështje të tilla, përmes të cilave pretendohet mosnjohja e atësisë, ndërsa në 6 raste të tjera janë hapur procese gjyqësore për njohje atësie.
Në pjesën dërrmuese të rasteve, janë burrat ata që, për të anashkaluar dëbimet nga shtetet evropiane, marrin mbiemrin e bashkëshorteve. Ndërkohë, këto të fundit sjellin në jetë fëmijë me partnerin ose bashkëjetuesin, por ligji njeh si baba bashkëshortin zyrtar.
- “Një vajzë martohet për shkak të dokumenteve, por gjatë kësaj periudhe ajo mund të mbetet shtatëzënë më personin që bashkëjeton. Ligjërisht fëmija i nihet personit me të cilin ajo ka bërë dokumente martesore ose martesë fiktive. Këta raste mund të rregullohen vetëm përmes mosnjohjes së atësisë”,- thotë Goxhaj.
Sipas avokatit Goxhaj, paditë për mosnjohje të atësisë po bëhet gjithnjë e më shqetësues, ndërkohë që mungon një frenim ligjor, për sa kohë vazhdojnë martesat fiktive me qëllim përfitime ligjore në shtete të tjera/Shqiptarja
