Ish-prokurori Eugen Beçi, ka komentuar vendimin e marrë nga gjykata e Lartë në lidhje me paraburgimin.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë i kujton gjykatave se duhet të argumentojnë qartë pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme.
“Nuk është sinjal i fortë, është thjeshtë sinjal. Sinjal i fortë do të ishte Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, përcaktimi i masave dhe kritereve të sakta për masat e sigurimit. Është sinjal për të treguar që masa e sigurimit arrest me burg vitet e fundit ka qenë një masë që vendosej në mënyrë automatike, mjaftonte akuza dhe caktohej kjo masë. Ka pasur abuzim, sepse masa e sigurimit është përjashtim, jo standard. Kjo masë është kthyer në një normalitet të papranueshëm nga Kushtetuta dhe Konventa Europianë e të Drejtave të Njeriut. Nuk mundet që në caktimin e kësaj mase të mos ketë prova konkrete që të provohet rreziku i largimit nga vendi, prishjes së provave dhe faktit që mund të kryesh një vepër tjetër penale. Gjykatat shpesh merreshin me formulime standarde pa i hyrë individualizimit të rasteve konkrete. GJL me vendimin u tha gjykatave se duhet të merren parasysh elementët, mes të cilave të shpjegohet pse masat e tjera të sigurimit janë të papërshtatshme. Paraburgimi nuk është dënim, shpesh është kthyer në metodë spektakli që e kthen më pas faktin e thjeshtë, njeriun që e merr në hetim e dënon para se ta gjykosh. Është kthyer në një mënyrë që drejtësia të thotë e bëra punën sepse vendosa këto masa. Arresti në burg është mjeti i fundit, masa e fundit e sigurisë, arresti në burg është një element për të siguruar një hetim normal nuk është pjesë e dënimit”, tha ai.
