Nënkryetari i PD-së Edi Paloka së bashku me ish-deputetë të tjerë demokratë ndodhen sot në ambientet e gjykatës së Tiranës, ku do të jepet masa e sigurisë për Klevis Balliun dhe nëntë banorë të tjerë të Unazës, të cilët u arrestuan pas protestës së ditës së dielë.

Paloka tha se ai shpreson që gjyqtarët të mos ndihen nën presion në dhënien e vendimit, dhe se banorët e Unazës iu kanë treguar shqiptarëve se me reagimin e tyre po mbështesin një kauzë të drejtë.

“Në vend që në burg të ishte Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri dënohet opozita. Ky shtet ka marrë fund me gjithçka, nesër të gjithë shqiptarëve mund të gjenden përpara prangave, me këtë regjim të Edi Ramës.

Uroj që gjyqtarët të mos marrin urdhra nga Edi Rama, uroj që të kenë dinjitetin për të dhënë drejtësi, këta njerëz jo vetëm që duhet të lirohen, pot u kërkohet falje dhe të dëmshpërblehen.

Protesta e Unazës ka arritur diçka të madhe, ka treguar se me reagim gjithçka mund të fitohet. Kjo protestë nuk është kohë e humbur, u ka treguar të gjithë shqiptarëve që me qëndresë e drejta fiton”, u shpreh Paloka për Fax News.

Në mbështetje të dhjetë personave të arrestuar janë dhe shumë prej banorëve të Astirit që prej një viti tashmë protestojnë në mbrojtje të banesave të tyre, që rrezikojnë shembjen për shkak të projektit të Unazës së Madhe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re