Ministria e Drejtësisë ka prezantuar sot një draft-plan të ri katër vjeçar lidhur me luftën ndaj korrupsionit i cili do të shtrihet në harkun kohor 2020 – 2023.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ministrja Etilda Gjonaj mblodhi sot Komitetin Koordinator Kundër Korrupsionit në një mbledhje të gjerë virtual gjithëpërfshirëse prej 70 vetash, ku ishin të pranishëm anëtarët e komisionit koordinues, përfaqësuesit nga institucionet e pavarura, përfaqësues nga partnerët ndërkombëtarë si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Ky draft-plan që ditët në vijim do t’i paraqitet kabinetit qeveritar për miratim, është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në mbështetje me ekspertizë nga Delegacioni i Bashkimit Europian dhe një sërë partnerësh të tjerë strategjik pas një pune gati 9 mujore dhe pas një sërë konsultimesh me instotucinet të cilat duhet të zbatojnë masat e parashikuara.

Zëvendës ministrja Fjoralba Caka ka bërë me dije në rrjetin social Facebook disa nga detajet e këtij takimi dhe draft-plani, të cilat i ka cilësuar si mjaft të frytshme:

“Ministria e Drejtësisë , në rolin e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, mblodhi sot Komitetin Koordinator Kundër Korrupsionit në një mbledhje virtuale gjithëpërfshirëse. I tejkaluam vështirësitë e takimeve në distancë, duke garantuar praninë e plot 70 përfaqësuesve kyçë të partneritetit qeveritar, shoqëror e kombëtar antikorrupsion. Objekt i rëndësishëm i kësaj mbledhjeje ishte miratimi i Draft-Planit të ri të Veprimit Antikorrupsion 2020-2023. Hartimi i këtij dokumenti ka kaluar përmes 23 tryezave ndërinstitucionale, takimeve me fokus grupe, takimeve me ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë”, nënvizon Caka duke shtuar se:

“Ky takim ishte frytdhënës edhe në shtjellimin e Raportit Vjetor të Monitorimit të Strategjisë Ndërsektoriale dhe Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2019. Ndamë me të pranishmit arritjet kryesore, pa harruar edhe sfidat që presin zgjidhje në periudhën aktuale”, shkruan Fjoralba Caka duke shtuar se: “Përfshirja e të gjithë aktorëve në hartimin dhe monitorimin e dokumenteve strategjikë kundër korrupsionit do i bëjë edhe më efikase përpjekjet e gjithsecilit në luftën kundër Korrupsionit dhe ndërtimit të një shoqërie më transparente, demokratike dhe me më integritet”, shkruan Caka e cila zgjedh të përcjellë edhe disa mirënjohje.

“Vend të veçantë në gjithë këtë punë voluminoze zë suporti i @European Union in Albania me partneritetin e pakushtëzuar dhe tejet rritës për stafin e Ministrisë së Drejtësisë dhe gjithë institucioneve shqiptare të përkushtuara në rrugën evropiane të vendit. Së fundi, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë stafin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të pavarura për punën voluminoze që kanë bërë në hartimin e këtyre dy dokumenteve strategjikë ”, përfundon ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re