TIRANË- Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u pyet nga gazetarët për ecurinë e hetimeve mbi masakrën e “Don Boskos”, ku një grua humbi jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur. Ai tha se ka persona konkretë të skeduar nga Policia si të dyshuar, por nuk pranoi të japë detaje shtesë.

“Vazhdon të funksionojë një grup hetimor nën drejtimin e prokurorit, i cili do të marrë kohën e nevojshme. Policia ka informacione edhe për persona konkretë të përfshirë në këtë ngjarje, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japim detaje, por kur të kemi përparime do ia bëjmë me dije mediave dhe publikut”, tha ai.

Në momentin që personat kanë qëlluar me armë  drejt fasadës së lokalit, në këmbë ka qenë 58-vjeçarja Mimoza Paja, e cila po shërbente, çfarë ka rezultuar fatale për jetën e saj.

Lokali ku ndodhi ngjarja është në pronësi të Fatjon Muratit, një emër i njohur ky për Policinë e Shtetit. Ky i fundit edhe pse duhet të ishte në masën e sigurisë arrest shtëpie, ka mundur të largohet nga Shqipëria dhe aktualisht dyshohet të jetë fshehur në Turqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re