Presidenti Hashim Thaçi, në 19-vjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës e ka cilësuar si një prej tragjedive më të mëdha autorët e së cilës ende nuk dolën para drejtësisë.

Ai thotë se forcat serbe, duke pasur informacione  se ky burg do të sulmohet nga NATO, kishin ekstraduar shumë të burgosur për t’i vrarë e për të bërë fajtorë  forcat e NATO-s.

“Në përvjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës i kujtojmë të gjithë të burgosurit shqiptarë që përjetuan jo vetëm persekutime sistematike, por edhe vrasje mizore nga forcat policore serbe.  Duke pasur informacione se ky burg do të sulmohej prej forcave veri-atlantike, autoritetet serbe ato ditë kishin ekstraduar shumë të burgosur shqiptarë në këtë burg, për t’i vrarë dhe për t’ua veshur fajin forcave të NATO-s”, shkruan Thaçi në Facebook.

Kujtojmë se 19 vite më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

Brenda këtij burgu gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re