Stephen Paddock 63-vjeç nuk është vetëm vrasësi më masiv në historinë e SHBA-ve, por edhe misteri më i madh, pasi ende nuk dihet motivi që e shtyu të kryej masakrën në Las Vegas, ku humbën jetën 58 persona dhe u plagosën qindra tjerë, shkruan New York Times.
Kjo e përditshme e ka cilësuar si person “kontradiktor”: i cili ishte i dhënë pas bixhozit, por nuk i pëlqente shumë të bënte dallime, ishte milioner që posedonte shtëpia të shtrenjta, por nuk jetonte në asnjërën nga ato, i pëlqenin kazinotë dhe voziste një furgon gjysmë të prishur, nuk përdorte Facebook e Twitter, por 25 vite i kaloi duke qëndruar pranë aparateve të lojërave të fatit, transmeton Telegrafi.
“Do të doja të mund të thosha që Stephen ka qenë i keq. Por, nuk mundem, pasi që nuk ka qenë. Duhet ta kuptojmë se çfarë kishte ndodhur me të”, ka deklaruar Eric Paddock, vëllai i vogël i autorit të masakrës në Las Vegas.

I biri i plaçkitësit të bankave dhe sekretareshës, Paddock është rritur në jug të Kalifornisë, në një familje jo edhe aq të ngritur.

“Qysh si adoleshent njihej si një njeri që i pëlqente të kishte kontroll të plotë mbi jetën e tij, në mënyrë që të mos varet nga askush, dhe kështu ndërroi disa punë të cilat i konsideronte se do ta bëjnë të pasur”, thotë vëllai Eric.
“Ai punoi për administratën tatimore sepse mendonte se aty flenë paratë. Por, në fund e kuptoi se nuk ishte ashtu dhe braktisi këtë punë për të vazhduar në avio-industrinë, por as edhe aty nuk kishte para. Në fund i hyri biznesit të pasurive të paluajtshme dhe aty filloi të fitoj shuma të majme të parave”, ka shtuar ai.
Stephen Paddock ishte më i madhi nga katër vëllezërit që u rritën së bashku gjatë viteve të ‘50-ta.
Babai i tyre, Patrick Benjamin Padsdock, nuk qëndronte shumë në shtëpi, pasi bënte një jetë kriminale, transmeton Telegrafi.
Dosja e tij ka qenë bukur e trashë: nga mashtrimet me çeqe, vjedhje të veturave e deri te plaçkitjet e bankave. Figuronte në listën e personave të kërkuar nga FBI.
Agjentët e FBI-së e përshkruanin si lojtar të madh, një burrë të plotë me diagnozë të psikopatisë dhe tendencës për të kryer vetëvrasje.
Edhe përkundër faktit që kishte një fëmijëri të tillë, Stephen Paddock, ndryshe nga vrasësit masiv klasik, ai është rritur si një djalë ambicioz.
Filloi të blej dhe rinovoj patundshmëri në Los Angeles, dhe më pas i lëshonte me qira.
Ishte pronar i mirë, i lëshonte banesat dhe shtëpitë me çmim të ulët, vazhdimisht iu përgjigjej ankesave të qiramarrësve, ua zgjidhte problemet, ua dinte emrat dhe mundohej t’i bënte të lumtur.
Ai filloi të mbush xhepat me para, por fillimisht dyfishoi shumën e investimeve, dhe më pas zgjeroi biznesin në Teksas, ku në vitin 2012 shiti një ndërtesë me 110 banesa për 8.3 milionë dollarë.

Me kalimin e viteve u pajis edhe me licencë për pilotim, blinte aeroplanë dhe udhëtonte nga njëri cep i Amerikës në tjetrin, dhe më pas u njoftua me bixhozin.
Njerëzit që e kanë njoftuar asokohe nuk e përshkruanin si një njeri miqësor, por si një arrogant që pëlqente bixhozin dhe kishte dëshirë të kontrollonte gjithçka.
“Ka qenë njeri që ka punuar shumë me numra dhe analizonte mirë çdo lëvizje që e bënte”, ka deklaruar John Vinerihe, pronar i njërit nga kazinotë që dikur Paddocku e vizitonte shpesh.
Loja e tij e preferuar ishte pokeri, dhe derisa luante këtë lojë në aparate përdorte sisteme të veçanta që i ndihmonin të fitonte.
Disa vite më parë kishte kaluar katër muaj pa pushuar asnjë ditë duke luajtur bixhoz në një kazino në Las Vegas.
Analisti i kazinosë të cilën ai e frekuentonte e kishte bërë një profil interesant për Paddockun, duke e cilësuar si lojtar që investon shuma të majme të hollave, por duke mos rrezikuar shumë. Ai nuk i lejonte vetes të humbte më shumë sesa 100 mijë dollarë.
Misteri i motivit të Paddockut vazhdon të habit dhe mundoj të gjithë ata që e kishin njohur. Ekspertët e kazinove në Las Vegas janë të bindur se masakra e kryer nga ai nuk ka lidhje me paratë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re