Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili janë dënuar me burgim të përjetshëm nga GJKKO, në lidhje me ngjarjen e rëndë të vitit 2017, që njihet si “Masakra e Lushnjes”. GJKKO vendosi sot të pranojë kërkesën e SPAK për dënimin me burgim të përjetshëm.

Bilbili dhe Kaloshi akuzohen  si autorë të “Masakrës së Lushnjes”, 11 tetor 2017, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes. Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

I shumëkërkuari për vrasje, Orges Bilbili u arrestua në datë 10 dhjetor 2020 gjatë një përplasje me armë me një efektiv në Tiranë. Bilbili u ndalua nga Policia dhe iu kërkuar leja që kishte marrë për të dalë nga banesa në kuadër të masave për koronavirusin, por ky i fundit ka refuzuar, ndërsa pas pak sekondash ka dashur të largohet pa dhënë sqarime.

Ai është ndjekur nga një efektiv policie ndërsa Bilbili ka nxjerrë nga çanta një pistoletë, por që efektivi e ka pikasur në kohë e për këtë pas paralajmërimit për ta ulur armën, e ka qëlluar. Fatkeqësisht e plagosur ka mbetur një qytetare që po kalonte pranë nga efektivi i policisë.

Ne momentin kur u arrestua, Bilbili rezultonte person i shpallur në kërkim nga policia për vrasje dhe disa vepra të tjera penale. Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Ai ishte gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Si ndodhi ngjarja?

Në datë 11 tetor 2017, tre persona janë afruar në karburantin në pronësi të Saimir Taullaut, duke qëlluar me 43 plumba drejt tavolinës së lokalit ku dyshonin se ishte i ulur Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjes.

Ky i fundit, ishte larguar nga lokali vetëm disa minuta para kësaj ngjarje të rëndë, për të shkuar te berberi, ndërkohë të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, si dhe u plagosën shtetasit Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Nga pamjet filmike, rezulton se në makinën tip Benz, i vjedhur në Kamëz, kanë qenë tre persona, përkatësisht, Laert Haxhiu, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Laert Haxhiu ende vijon të jetë në kërkim.

Në fakt ngjarja e rëndë dyshohet se ka të bëjë me konfliktet e hershme që ka familja Haxhiu me familjen e Aldo Bares, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti.

Kjo hakmarje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, Shkëlqim Haxhiu. Më pas në janar të vitit 2005 është vrarë djali i xhaxhait të Laertit, Klodian Haxhiu.

Kjo hakmarje ka filluar të faktohet në vitin 2010, thotë prokuroria. Nga ana tjetër Laert Haxhiu, ka qënë i akuzuar së bashku me Orgest Bilbilin, për ngjarjen e datës 8 korrik 2010 ku në Lushnjë është vrarë me armë zjarri Gerti Lala me pseudonimin “Iriqi”, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e organizatës kriminale të drejtuar në Lushnjë nga Aldo Bare.

Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili janë arrestuar por më pas janë liruar duke u shpallur të pafajshëm, ndërkohë Haxhiu nuk ka hequr dorë por ka tentuar disa herë të vrasë Xhuljo Shkurtin, pa rezultat.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re