Kryetari i Komunës së Deçanit në Kosovë, Bashkim Ramosaj në një lidhje telefonike për Fax News, ka dhënë detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi dje në komunën e tij, ku u qëllua me breshëri plumbash në drejtim të një autobusi me nxënës. Për pasojë humbën jetën shoferi i mjetit dhe dy nxënës, ndërkohë që një person i katërt mbeti i plagosur.

Ramosaj tha se gjendja e personit të plagosur është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që nuk dha komente të mëtejshme sa i takon pistave që kanë çuar në këtë krim të rëndë.

“Mbrëmë ka ndodhur një krim makabër. Është një ngjarje e rëndë që nuk ka ndodhur më herët, ka humbur jetën shoferi dhe dy nxënës, nxënësi që u plagos është jashtë rrezikut për jetën, është mirë me shëndet. Rasti ka qenë tepër tragjik dhe tepër i rëndë, prindërit i kanë çuar fëmijët në shkollë, dhe u janë kthyer me arkivole.

Ne jemi pranë familjeve në këto momente, kushdo që ka informacion, e ftojmë që të ndihmojë organet e hetimit, në dobi të zbardhjes së këtij rasti. Nuk dua të bëj ndonjë spekulim për pistat, jam në dijeni që prokuroria dhe policia po bëjnë gjithçka që është e mundur për ta zbardhur këtë ngjarje.

Uroj që ky rast të zbardhet sa më shpejt”, tha Ramosaj. Kryetari i Komunës së Deçanit tha se në vendin ku ka ndodhur vrasja ka kamera sigurie, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit dhe në kapjen e autorit të kësaj masakre.

Ramosaj tha se kjo linjë e autobusit e bën shpërndarjen e nxënësve çdo ditë nga shkolla në banesë.

“Është një linjë e rregullt e autobusit, nuk ka pasur ndonjë problematikë deri mbrëmë, kur ndodhi ajo ngjarje që na tmerroi të gjithëve”, u shpreh më tej Ramosaj, i cili tha se familjarët e viktimave janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re