Pas dëshmisë së dy vëllezërve Gentjan dhe Indrit Beqiraj në lidhje me masakrën e Don Boscos, Prokoruria e Tiranës i ka kërkuar asaj të Durrësit që ti vejë në dispozicion materialet e siguruara deri më tani.

 

Për Tiranën, ngjarja e 4 Janarit ku u vra Erion Çela dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur ende nuk është zbardhur dhe dëshmia e vëllezërve Beqiraj pritet që ti japë dritën jeshile për dokumentimin e plotë të rastit.

 

Burime nga organi i akuzës shprehen se prokuroria vlerëson se ka mospërputhje të dëshmive të dy vëllezërve me hetimet që janë kryer që prej ditës së vrasjes.

 

Gjithashtu, mësohet se pas marrjes së dosjes, Prokuroria e Tiranës do të kërkojë edhe analizimin e qelizave telefonike të personave të përfshirë, emrat e cilëve kanë dalë në pah nga dy vëllezërit Beqiraj.

 

Aktualisht dosja po hetohet në Durrës, por ka gjasa që hetimet të bashkohen dhe më pas ti kalojnë SPAK-ut pasi bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal dhe vrasësish me pagesë.

 

Dy vëllezërit Beqiraj u kapën pas përplasjes me anëtarët e grupit të Rrumit të Shijakut në autostradën Tiranë-Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re