Nxënësit dhe dy mësuesit e vrarë në një shkollë fillore në Uvalde,Teksas, ishin të gjithë në të njëjtën klasë, një e katërta, që zakonisht frekuentohej nga fëmijë të moshës 9-10 vjeç.

Këtë e raporton CNN. Nga të shtënat u vranë 19 fëmijë dhe dy të rritur, përkatësisht dy mësuesit e klasës.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon debati për aksesin e lirë në armë.
Ndërsa Presidenti Biden argumenton se është “koha për ta kthyer dhimbjen në veprim dhe për të ndërmarrë veprime”, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, republikani Ken Paxton (aleati i Trump), po ngre idenë e armatosjes së mësuesve.

“Ne nuk mund t’i ndalojmë njerëzit e këqij të bëjnë gjëra të këqija. Por ne mund t’i armatosim dhe përgatisim mësuesit që të përgjigjen shpejt. Sipas mendimit tim, kjo është përgjigja më e mirë,” tha Paxton.

Ndërkohë detaje tronditëse vijojnë të rrjedhin nga hetimet e masakrës së Uvaldes.

Vogëlushja Amerie Jo Garza, një nga viktimat e të shtënave në Teksas, u përpoq të telefononte 911 (numrin e urgjencës) kur pa vrasësin.
Vajza 10-vjeçare ishte ndoshta e para që u vra me armë zjarri pikërisht sepse autori e ka parë me telefon në dorë.

Ai hyri i armatosur dhe u tha fëmijëve ‘do të vdisni’”, tha gjyshja e heroinës së vogël.

“Amerie mori telefonin e saj dhe thirri shërbimet e urgjencës. Ai e qëlloi atë,” tha ajo.

Angel Garza, babai i saj, shkroi në Facebook:

“Faleminderit të gjithëve për lutjet tuaja dhe për ndihmën që më keni dhënë për të gjetur vajzën time. U gjet. Dashuria ime e vogël tani po fluturon me engjëjt lart. Ju lutemi, mos e merrni si të mirëqenë asnjë sekondë të jetës. Përqafoni familjen tuaj. Tregojuni atyre se i doni ata. Të dua Amerie Jo. Mbroje vëllain tënd të vogël për mua.”

Teksasi në vitin 2021 kishte një milion armë të regjistruara, numri më i madh në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se ato të Floridës dhe Virxhinias, të cilat janë përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë në renditjen e SHBA.

Houston Chronicle vë në dukje se që nga viti 2018 Teksasi ka gjithashtu rekordin për numrin më të madh të vdekjeve nga të shtënat masive.
Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re