I dukshëm i emocionuar, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u zotua sot se vendi do ta kapërcejë “sulmin e tmerrshëm”, siç e cilësoi ai, pas masakrës me armë zjarri që ndodhi një ditë më parë në një shkollë në një qytet të vogël në rrëzë të Maleve Shkëmbore, në provincën e Kolumbisë Britanike.
“Kanadaja është në zi”, deklaroi Carney, duke theksuar se ministri federal i Sigurisë Publike, Gary Anandasangaree, ishte nisur drejt komunitetit të Tumbler Ridge, ku të paktën 10 persona humbën jetën në një nga sulmet më të rënda masive në historinë e fundit të vendit.
“Do ta kalojmë këtë. Do të mësojmë nga kjo.Por tani është koha të afrohemi me njëri-tjetrin, siç bëjnë gjithmonë kanadezët në situata të tilla të tmerrshme – të mbështesim njëri-tjetrin, të vajtojmë së bashku dhe të ecim përpara së bashku”,tha Carney para gazetarëve, me lot në sy.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se ka urdhëruar që flamujt në të gjitha ndërtesat qeveritare të ulen në gjysmështizë për shtatë ditët e ardhshme, në shenjë zie.
Sipas policisë, 10 persona, mes tyre edhe autorja e sulmit, humbën jetën pasi një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme dhe në një banesë në qytetin e vogël të Kanadasë perëndimore. Rreth 27 persona të tjerë mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë.
Autoritetet nuk kanë dhënë pothuajse asnjë informacion për autoren e sulmit, përveç faktit se bëhet fjalë për një grua – një zhvillim i pazakontë, pasi sulme të tilla masive kryhen zakonisht nga burra.
Ende nuk është bërë e ditur sa nga viktimat janë të mitur. Shkolla në Tumbler Ridge ka rreth 160 nxënës, nga klasa e shtatë deri në të dymbëdhjetën, të moshës 12 deri në 18 vjeç.
