Ekonomia shqiptare pret rënien më të madhe ekonomike në rajon për shkak të krizës së pandemisë. Sa do mund t’i ndihmojë bizneset Garancia Sovrane prej 150 milionë dollarësh e qeverisë?

Sipërmarrja private në Shqipëri po bëhet gati të rifillojë aktivitetin e saj ekonomik dhe tregtar, e goditur rëndë nga bllokimi dymujor prej pandemisë corona. Pandemia është nën kontroll sipas autoriteteve shëndetësore, por numri i rasteve të reja luhatet duke arritur edhe shifra të larta. Autoritetet e shëndetësisë thanë të premten( 15.05) se janë shfaqur 18 raste të reja në 24 orët e fundit. Gjithsesi, optimizmin e ushqen numri i pandryshuar i viktimave që prej dy javësh, ai mbetur 31.

Ka një situatë lehtësimi relativ që tronditet nga paralajmërimet publike për mundësinë e një vale të dytë vërshimi të infektimit me virusin corona dhe kërkesa për të respektuar rregullat e  distancimit social dhe vendosjes së maskave gjatë daljes nga banesat në rrugë dhe hyrjes në supermarket, farmaci dhe banka.

Prof. Pëllumb Pipero, mjeku i njohur infeksionist, tha për DW se vala e dytë mund të ndodhë pas disa muajsh. “Vala e dytë e epidemisë nuk përjashtohet. Ajo mund të ndodhë në fund të vjeshtës ose në fillim të këtij dimri. COVID-19 është një nga virusët respiratorë, që në përgjithësi kanë sezonalitet,” thotë për DW, Dr. Pipero.

Në këto kushte e vetmja rrugë për të mos u kthyer përsëri tek mbyllja e sektorit privat është rimodelimi i bizneseve, ngritja e kapaciteteve të tyre për të mos ndërprerë punën dhe njëherazi shmangur infektimin me virusin corona në muajt e verës dhe gjatë valës së dytë potenciale.

150 milion euro për rimodelim anti-COVID-19

Me këtë synim qeveria Rama mori të enjten vendimin për t’u dhënë bizneseve Garancinë e  dytë Sovrane prej 150 milionë dollarësh. Garancia e parë Sovrane, prej 100 milionë dollarësh, iu dha para dy muajve bizneseve të  mëdha që të paguanin pagat e punonjësve të tyre, mos shkurtonin vendet e punës përmes marrjes së kredive në banka me normë interesi 2, 85%  me shtetin garant për kolateralin.

Garancia Sovrane e tanishme ka hapësira dhe kushte të tjera. Prej tij përfitojnë të gjitha llojet e bizneseve që nga më i vogli deri tek më i madhi, që kërkojnë të rimodelohen për t’u përballur pa u mbyllur me një valë të re potenciale të virusit corona. Ministrja e Financave, Anila Denaj, e cilësoi Garancinë e dytë Sovrane si “oksigjen në kohë pandemie”. “Ky instrument është në dispozicion për gjithë sipërmarjen private, në të gjitha sektorët e ekonomisë. Ai  synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime për kapërcimin e efekteve të pandemisë corona. Shteti kontribuon me 60% të interesit banker të kredive, kurse 40% vetë bizneset”, tha ministrja Denaj, në një prononcim për mediat.

Bizneset mund të aplikojnë që nga e hëna, (18.05) për të marrë kredi në bazë të Garancisë Sovrane prej 150 milionë dollarësh. Bizneset në sektorin e turizmit, i prekuri më rëndë nga epidemia COVID-19 pritet të përfitojnë nga ky instrument financiar për të investuar në rimodelimin e infrastrukturës turistike me kërkesat e distancimit social dhe rikuperuar sa të jetë e mundur më shumë, humbjet e mëdha. 

Turizmi i shkakton Shqipërisë rënien ekonomike më të thellë në rajon

Bllokimi, kufizimi i lëvizjes së njerëzve ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e shumë bizneseve në sektorin e turizmit me një efekt domino në ekonominë e Shqipërisë. Në një raport të publikuar këto ditë,  nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ( BERZH) parashikohet që Shqipëria do të ketë këtë vit një rritje të dobët ekonomike, e cila pritet të zbresë në minus 9 %  të Prodhimit të Brendshëm Brutto,( GDP) , me një rënie që konsiderohet më e madhja në rajonin e Ballkanit Perëndimor./ DW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re