Zëvendës drejtori i përgjithshëm i policisë, Sokol Bizhga, në një konferencë për mediat, njoftoi masat që janë marrë me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publikegjatë sezonit turistik. Është ngritur Njësia Policore Detare që do të monitorojë të gjithë hapësirën ujore të vendit me 105 policë të trajnuar.

Punonjësit e policisë do të patrullojnë me biçikleta duke mbikëqyrur të gjithë vijën bregdetare. Masa shtesë do të ketë edhe në pikat kufitare. Gjithashtu ka filluzar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe të festave zyrtare.

Kufizimi i tyre ka nisur me 15 Qershor dhe pritet të vijojë deri më 15 Shtator. Ndërkaq, sa i përket sigurisë në zonat turistike malore, policia njoftoi se ka planifikuar stacione policore provizore.

MASAT E MARRA:

Duke marrë parasysh se përgjatë sezonit veror, në drejtim të vendit tonë ka dyndje të pushuesve nga e gjithë bota, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar me masa shtesë, me qëllim krijimin dhe garantimin e kushteve sa më të mira të sigurisë, për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, në zonat turistike, për të gjithë periudhën e sezonit turistik veror, në pikat e kalimit kufitar dhe në akset kryesore rrugore, për qarkullimin sa më normal të automjeteve, për parandalimin e kriminalitetit në qendrat e banuara, për zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës, si dhe për menaxhimin e zhurmave në qendrat urbane dhe në zonat turistike.

Për garantimin e rendit e sigurisë në zona malore, janë planifikuar shërbime shtesë të Policisë, në zonat turistike: Theth, Valbonë, Lurë, Voskopojë dhe Dardhë. Në vijim, në Theth dhe në Valbonë do të ngrihen stacione policie provizore.

Referuar eksperiencës së viteve të kaluara, gjatë këtij sezoni turistik janë planifikuar në zonat e plazheve, punonjës policie me uniformë verore dhe me biçikleta, të cilët do të patrullojnë në këto zona për parandalimin e krimit, forcimin e policimit komunitar, për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në nevojë, si dhe për mbikëqyrjen e vijës bregdetare.

Në funksion të sigurisë detare dhe sigurisë së pushuesve në plazhe, tashmë është ngritur dhe funksionon Njësia Policore Detare, e cila krahas shërbimeve të tjera të Policisë, për menaxhimin e sezonit turistik 2023, do të monitorojë të gjithë hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet një flote të përbërë nga 35 mjete lundruese Jet Ski dhe nëpërmjet një trupe policore të përbërë prej 105 punonjësish policie të trajnuar e certifikuar për drejtimin e mjeteve lundruese.

Aktualisht, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të policive vendore, vijojnë kontrollet për mjetet lundruese, kryesisht argëtuese dhe ato që përdoren për turizëm ditor (varka artizanale) në lumenj dhe liqene, për pajisjen me dokumentacion, si dhe për përmbushjen e kushteve teknike, me qëllim sigurinë e jetës së qytetarëve që i përdorin këto mjete lundruese.

Masa shtesë janë parashikuar edhe në drejtim të planifikimit të burimeve njerëzore shtesë në pikat e kalimit kufitar, me qëllim rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër, parandalimin e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, parandalimin e krimeve kufitare, si dhe forcimin e kontrollit në kufirin blu.

Gjithashtu, ka filluar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe të festave zyrtare. Drejtoritë vendore të Policisë kanë filluar zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve, që prej datës 15 qershor dhe ky kufizim do të vijojë deri më 15 shtator 2023.

Në lidhje me monitorimin për parandalimin e ndotjes akustike dhe parandalimin e gjenerimit të zhurmave tej normave të lejuara, nga subjekte të ndryshme, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash të veçantë, i cili është i integruar në planin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për masat shtesë në kuadër të sezonit veror.

Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00-24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00-23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr. 8, të datës 27.11.2007.

Në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

Me qëllim shkëmbimin e praktikave policore, mbështetjen për parandalimin e ngjarjeve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, forcimin e sigurisë rrugore, si dhe për luftën kundër veprave penale me karakter ndërkufitar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Marrëveshjeve së Qeverive të Republikës së Shqipërisë me atë të Malit të Zi dhe me atë të Kosovës, kanë nënshkruar 2 protokolle bashkëpunimi të Policisë së Shtetit me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e Malit të Zi, të cilat do të zbatohen gjatë sezonit turistik 2023.

Masa janë marrë edhe për parandalimin e krimeve mjedisore, kryesisht të ndërtimeve pa leje dhe të ndotjeve të tjera të mjedisit. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IMT-të e bashkive respektive, po kryejnë kontrolle jo vetëm në zonat bregdetare dhe në ato turistike, por në të gjithë territorin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re