Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj inspektoi sot Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë për të ndjekur nga afër situatën dhe përgatitjet për përballimin e valës së dytë të pandemisë.

Ministrja Gjonaj kreu një kontroll të thelluar tek mjediset spitalore dhe reanimatore, inspektoi bazën farmaceutike dhe verifikoi gatishmërinë e ekipeve mjekësore dhe policore për të reaguar ndaj problematikave të pandemisë që mund të prekin regjimet e të dënuarve dhe paraburgosurve.

Pavioni në Qendrën Spitalore të Burgjeve është i përshtatur për të burgosurit që kanë nevojë për trajtimin e rasteve të lehta të me koronavirus. Ndërkoha Ministrja Gjonaj i kërkoi stafit mjekësor të QSB-së që të garantojnë shëndetin e të shtruarve të tjerë me patologji të ndryshme nga Covid dhe të mos lejojnë asnjë shkelje të protokolleve mjekësore.

Gjithashtu Gjonaj i shprehu mbështetje të pakursyer personelit mjekësor dhe i kërkoi strukturës menaxhuese të QSB-së gatishmëri numër 1 për paprekshmërinë e sigurisë dhe respektimin absolut të protokolleve anticovid.

Ministrja e Drejtësisë ndoqi nga afër ndarjen e mjediseve mjekësore, reanimacionin, dhomat pritëse si edhe vizitoi dhe bashkëbisedoi me të dënuar që i janë nënshtruar procedurave mjekësore në Qendrën Spitalore të Burgjeve. Gjithashtu Ministrja Gjonaj inspektoi aparaturat mjekësore, mirëfunksionimin e tyre, si edhe planet e emergjencave të përcaktuara nga specialistët e shëndetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re