Ky është momenti kur ka mbërritur në vendin tonë 28-vjeçari, B. Ç., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përfitoi 4.7 milion euro nëpërmjet skemave të mashtrimit në Call Center.

B. Ç. u lokalizua në Abu Dhabi dhe ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë në vendin tonë. Dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.

I riu akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Pas deportimit të tij, reagoi ministri Taulant Balla, i cili u shpreh: “Një përgëzim i meritur për Interpol Tirana Policia e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe për rezultatet e muajve të fundit në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare. Me ekstradimin e thjeshtuar përmes deportimit, të realizuar sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe është hapur një faqe e re e bashkëpunimit, me këtë vend mik dhe partner, në luftën kundër pandëshkueshmërisë.”

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Marrëveshja e ekstradimit në proces, mes 2 vendeve, intensifikon bashkëpunimin për lokalizimin e shtetasve që i fshihen drejtësisë shqiptare, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve për këtë qëllim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për ekstradimin e thjeshtuar të një 28-vjeçari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i.

Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit.

28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shtetasi B. C., 28 vjeç, ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.

Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë bashkëpunimin intensiv me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që kanë kryer veprimtari kriminale në Shqipëri dhe qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’iu fshehur drejtësisë shqiptare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re