Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 19 vjeç, dhe E. S., 30 vjeç, pasi dyshohet se, nëpërmjet mashtrimit në rrjetet sociale, i kanë marrë një shumë parash një shtetasi 56-vjeçar.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori edhe pas kallëzimit të një shtetasi 20-vjeçar, banues në Berat, i cili pretendon se në rrjetin social “Instagram” është hapur një adresë në emrin e tij dhe janë publikuar foto të tij. Po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. R., 27 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, pasi dyshohet se ka mashtruar një shtetas 32-vjeçar, duke i marrë një shumë parash.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat referuan materialet në Prokurori pas kallëzimit të shtetases E. S., 40 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase ka kallëzuar se, gjatë punimeve të kryera në muajin nëntor 2025 në rrugën “Muzakaj–Kala”, nga subjekti që po kryente punimet nuk janë marrë masat mbrojtëse për kalimtarët dhe, si pasojë, vëllai i saj, shtetasi E. B., 38 vjeç, më datë 15.11.2025, duke kaluar në këtë rrugë, dyshohet se është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë.
Nën drejtimin e Prokurorisë Berat kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. O., banues në Kuçovë, pasi gjatë djegies së mbeturinave në tokën e tij, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me ullinj, në pronësi të tij dhe të shtetasve të tjerë.
Informacion paraprak: Rreth orës 13:20, në aksin rrugor Berat–Poliçan, në fshatin Vërtop, shtetasi E. Sh., 40 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe, për pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë, janë dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit dhe dy vajzat e tij të mitura, të cilat po marrin mjekim në spital.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.
