Pas zbulimit të skemës së tjetërsimit te tokave në Shëngjin, Prokuroria e Lezhës ka nisur verifikimet për të gjitha aktet e marrjes së tokave në pronësi në zonat bregdetare në këtë qark.
 
Prokuroria dyshon se mes dosjeve ka falsifikime me qëllim tjetërsimin e pronave edhe në lagunën e Kune Vainit në Shëngjin.
 
Verifikimet nisën pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2017. Pas auditit të procedurave të lëshimit të akteve të marrjes në pronësi të tokave, rezultoi se 1045 praktika të ndryshme mungonin.
 
Sipas organit të akuzës dyshohet se kemi të bëjmë me falsifikime.
 
Regjistrimi i pasurive është bërë si në rastin e dosjes së Kavajës, ku nga tokë ranishte nëpërmjet falsifikimit është ndryshuar në tokë arë, e cila me ligjin 7501 është ndarë më pas në parcela dhe në pronësi të personave të ndryshëm.
 
Verifikimet e Prokurorisë po bëhen për procedurat e ndjekura në hipotekën e Lezhës, ku mungojnë dhe dosjet.
 
Krahas Lezhës në sitën e organit të akuzës mësohet se do të kalojnë dhe dosjet e bregdetit të Velipojës. Edhe në Hipotekën e Shkodrës, Prokuroria ka zbardhur skema mashtrimesh me regjistrimin e pasurive të paluajtshme në të cilat është bërë tjetërsimi apo kalimi nga pronari shtet në pronësi private.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re