Një zonjë denoncoi në emisionin ‘Stop” mashtrimin nga ana e një vajze të quajtur Ilda Kërkapi. Në muajin Dhjetor Kërkapi, nisur nga një njohje shoqërore, i ofroi zonjës një vend pune si recepsioniste pranë Prokurorisë së Tiranës.

Kërkapi u prezantua si Ilda Kraja dhe i tha se, me anë të njohjeve të saj, do t’i siguronte vendin e punës, duke kërkuar 500 Euro për këtë nder.Denoncuesja u takua me Kërkapin dhe i dha paratë. Të dyja gratë konsumuan dhe një kafe dhe Ilda i tregoi marifetet, për punën e re, që do të niste në Janar 2021.

“Ajo mu drejtua për të më ofruar një vend pune tek prokuroria e Tiranës si recepsioniste në shkëmbm të një vlere monetare prej 500 Euro. E kam takuar në një lokal duke lozur me djalin e saj. Ajo më tha, Ilda jo Kërkapi siç është në të vërtetë, por Kraja. Ka shumë të njohur në Prokurorinë e Tiranës ndërkohë që kishte dhe babain e saj prokuror. Duhet të isha punësuar në 10 Janar të 2021. Një ditë më pas i kam dorëzuar vlerën që më kërkoi në këmbim të këtij vendi pune. Më tha që lekët do i presë vetëm një ditë dhe do i paguajë nga të vetat se nuk e di kujt do t’ia jepte. Shumë ia kam dhënë në dorë. Ishte një takim shumë miqësor, nuk hiqej, nuk ishte ajo që në të vërtetë është në realitet. Hiqej si një prind i përkryer”.

Denoncuesja ka regjistruar një pjesë të bisedës me Kërkapin, ku kjo e fundit i kërkon 500 Euro.

Ilda Kërkapi: Puna është, nëse e ke parasysh, poshtë Komisariatit Nr.3.

Denoncuesja: Çfarë pune është?

Ilda Kërkapi: Poshtë te recepsioni. Në momentin, që vjen avokati, prokurorë, ne punonjësit “çekojmë” me kartën tonë…Aty ka oficerë. Aty janë 600 punonjës. Ka oficerë, që lënë takime. Ka prokurorë, që lënë takime, me këta, që janë në ndjekje penale, dikush tjetër do lërë një padi, do kërkojë një kërkesë-padie. Ti ke një telefon, ke edhe një libër përpara. Në momentin, që vij unë, do marrësh mjetin e identifikimit, do më regjistrosh, filan-fisteku, numrat rendorë i ke, doli në këtë orë. Ke një buton brenda, me atë do hapësh e do mbyllësh derën. Këtë pjesën e mësimit, e mëson vetë, se qenke vërtet shumë e shkathët. Nuk është punë e rëndomtë, është punë shumë e bukur, do e besosh. Do njohësh njerëz të rinj dhe në qoftë se do jesh e zonja, mund t’i ngjisësh shkallët avash-avash. Do të mësoj unë, se kë duhet të synosh aty, se unë vetë jam te Prokuroria e Krimeve të Rënda, punoj me ata të SPAK-ut. Këto do të t’i them pak më vonë. Do të të them unë, se pas kujt do rrish dhe kë do synosh. Në qoftë se vërtet arrin ta bësh shoqe, mikeshë, siç kemi pirë këtë kafe bashkë, kush e di se ku mund ta pimë, mund ta pimë edhe përditë, se unë ngaqë vij e auditoj, vij edhe përditë, do më falënderosh njëqind herë në ditë. Po gjete ndonjë nga këta njerëzit, që janë akoma edhe më lart se ne, po arrite që edhe ata t’i bësh miq, kush e di ku mund të jesh. Zoti para, ne mbrapa Tij, se s’mund të dalim asnjëherë para Atij. Që unë të jem brenda, po të them në datën 10.

Denoncuesja: Siguria për atë vend punë, sa është?

Ilda Kërkapi: Kur po të them një mijë për qind, e ke një mijë për qind të sigurtë. “Do kemi punë bashkë pastaj!”, si the dje? U shkriva fare! Ti nuk më njeh mua, do më njohësh avash-avash.

Denoncuesja: Pagesa sa ishte?

Ilda Kërkapi: 500 euro, siç të thashë.

Denoncuesja: Urdhëro! Numëroji.

Ilda Kërkapi: S’ka gjë, jo.

Denoncuesja: Po jo, ne jemi këtu.

Por zonja nuk u punësua kurrë dhe nuk i mori paratë mbrapsht. Denoncuesja, pasi kishte dhënë lekët, u fut në internet për të parë, se si mund të punësohej një person në prokurori. Aty njihet me disa informacione, se Ilda Kërkapi kishe mashtruar edhe persona të tjerë, duke u prezantuar si mbesa e ish-kryeprokurorit Llalla.

“U futa në internet për të parë se si mund të aplikoje për një vend pune vakant te Prokuroria e Tiranës. Ndër të tjera që lexoja, mu shfaq edhe emri i Ilda Kërkapit, ku thuhej, se ishte mbesa e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Kishte mashtruar shumë vetë, në këmbim të një vlere monetare. Duke parë, se çfarë shkruhej për zonjën në fjalë, ishte e kotë, që unë t’i drejtohesha organeve kompetente, pasi ato nuk kanë bërë asgjë me rastet e tjera, kështu që, edhe me mua nuk do bënin asgjë.”

Gjatë komunikimeve mes të dyjave janë bërë në WhatsApp Kërkapi i ka thënë se do t’ia kthejë 500 Euroshin dhe duke nxjerrë justifikime. Në disa raste, bisedat mes tyre kalojnë në ofendime dhe mallkime.

Gazetari i “Stop” bisedoi në telefon me Kërkapin.

Gazetari: Po flas me Ildën?

Ilda Kërkapi: Po!

Gazetari: Andrelin Prifti quhem unë, gazetar i emisionit investigativ “Stop”. Në redaksinë tonë ka mbërritur një ankesë prej zonjës… Në këmbim të një vendi pune si recepsioniste në prokurori, ti i ke kërkuar asaj 500 euro. Sa e vërtetë është kjo?

Ilda Kërkapi: Këto muhabete nuk bëhen fare në telefon dhe nuk është fare e vërtetë.

Ilda Kërkapi: E para e punës, unë kam djalin sëmurë dhe nuk mund të flas dot tani. Nuk është fare e vërtetë!

Gazetari: Po mesazhet që unë kam lexuar dhe ti thua do të kthesh lekët? Unë kërkoj që ti, një orë e më parë, të bësh shlyerjen e 500 eurove, t’ia kthesh mbrapsht zonjës!

Ilda Kërkapi: Jo mami, jo!

Gazetari: Më dëgjove?

Ilda Kërkapi: Po, të dëgjova.

Gazetari: Duhet t’i kthesh patjetër, paratë, sepse e gjitha kjo do të të kthehet kundra teje! Nëse nuk e bën, ne si “Stop” do bëjmë kallëzimin në organet kompetente, dhe më pas kjo merr formë edhe më ligjore.

Ilda Kërkapi: Po, e kuptova!

Gazetari: Kështu që, të lutem, ti do lidhesh vetë me zonjën, do t’i kthesh asaj 500 euro dhe jemi të gjithë të larë!

Ilda Kërkapi: Ëëë, po mirë, kur të nxjerr djalin unë dy ose tri ditë, do të të marr ty njëherë në telefon të parin. Në rregull?

Ilda Kërkapi: Po dua të takoj edhe ty unë personalisht!

Gazetari: Po pse?

Ilda Kërkapi: Po dua, patjetër!

Gazetari: Personalisht, nuk mundesh të më takosh, vetëm po të vish te Tv Klan, në “Stop”.

Ilda Kërkapi: Po atje do vij, ok!

Gazetari: Vetëm, të lutem, komuniko urgjent me zonjën…!

Ilda Kërkapi: Ke komunikuar ti, ktheji ti përgjigje!

Gazetari: Dëgjo Ilda! Ironitë me mua nuk mund t’i bësh, sepse nuk të takon të flasësh kështu. Nëse ti ke mashtruar zonjën në fjalë dhe të tjerë persona, këtë nuk mund ta bësh dot me mua!

Ilda Kërkapi: Faleminderit, që më kontaktuat! Uuu! Faleminderit, gjithë të mirat!

Por Kërkapi nuk i ktheu këto para mbrapsht. Drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra u shpreh se do të hidhet një padi ndaj mashtrueses.

“Ke një padi, por do të përgjigjesh penalisht për veprat tuaja. Edhe të mos na kishe falenderuar çështja jote do të shkojë deri në fund. Të mbyllet njëherë e mirë historia jote e mashtrimeve me fukarenj”, tha ai./tvklan.al