Një 31-vjeçar dhe një 29-vjeçar kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit “Kriptonite”, pasi mashtronin shtetas grekë, duke iu marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë.

Në subjektin tregtar të përshtatur për këtë veprimtarinë kriminale, ishin punësuar në mënyrë të paligjshme 7 shtetas.

Të arrestuarit janë shtetasit K. H., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe K. F., 29 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 2, te bulevardi “Republika”, në Korçë, në një subjekt tregtar në pronësi të shtetasit K. H., kanë gjetur të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 7 punonjës, të cilët ishin të padeklaruar në organet tatimore.

Gjithashtu, nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme.

Vijon puna intensive hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara prej saj. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re