Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka folur në Fax News për vendimin e ri të qeverisë që do të hyjë në fuqi nga e enjtja e kësaj jave, maska të jetë me detyrim në çdo ambient veçse në shtëpi. Vasili përmendi faktin që ka familje që jetojnë me ndihmë sociale dhe nuk kanë të ardhura të blejnë maska apo ti ndërrojnë çdo ditë.

Vasili kujtoi disa prej deklaratave të Ramës rreth pandemisë, si dhe theksoi se maska është budallallëku më i madh dhe është thjesht për të mbushur xhepat e atyre që i prodhojnë.

Petrit Vasili: Ajo maskë duhet ndërruar disa herë në ditë dhe dihet që çmimi i tyre është 70-80 lekë të vjetra dhe të gjitha bashkë, familje me 4 anëtarë do ti duheshin 95-96 mijë lekë të vjetra. E dini që janë me mijëra familje që jetojnë me ndihmë sociale, me qindra mijëra familje që jetojnë as me 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Llogariteni vetë cfarë do të thotë të shpenzojnë 350 lekë në ditë vetëm për maska.

Nga pikëpamje ekonomike është vërtet një pamundësi reale konkrete. Dihet që dikush do marrë një maskë, do e mbajë me vete, por do jetë i pambrojtur. Duan të mbrojnë vërtetë situatën apo duan të bëjnë sikur. E kam thënë, ky kryeministër ka një kurs të shkurtër inteligjence, lëviz nga gjoba tek maska, nga maska tek gjoba. Pse e them këtë gjë? Sot kishte 171 raste. Në Maj tha që kjo është komunikimi im i fundit për pandeminë, urime, suksese e përqafime të gjithë atyre që fituan betejën e vështirë. Në atë kohë, maksimumi kishte 27 raste në ditë. Sot është 171 raste, 6-7 herë rritje e rasteve.

Atëherë u mbyll Shqipëria, u shpartallua ekonomia, u çrregullua sistemi shëndetësor, masat i mbani mend që e mbyllnin në orën 1, pastaj e hapnin të premten. Mbani mend se dilnin autoblindat në rrugë, një skizofreni politike. Maska është budallallëku më i madh dhe është thjesht për të mbushur xhepat e atyre që i prodhojnë. Me pak fjalë, ka qenë një pandemi që nuk u menaxhua në asnjë rast por u shkua me idenë që ne bëjmë sikur kontrollojmë këtë pandemi, do të kemi një fitore politike në dorë.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb